Putini taksist në rininë e tij, kështu portretizohet në një dokumentar që pritet të publikohet së shpejti në Rusi jeta e një prej njerëzve më të pushtetshëm në botë.

Kolapsi i sistemit komunist e la agjentin e ri të KGB-së, pa punë i cili u detyrua të punonte si taksist për të mbijetuar në kaosin e krijuar.

“Nuk është diçka për të cilën preferoj të flas shumë, por mu desh të mbijetoja si taksist për të nxjerrë diçka më tepër nga rroga që s’mjaftonte” u shpreh Putin.

Dokumentari quhet “Rusia. Një histori bashkëkohore” dhe nëpërmjet tij tentohet të portretizohen disa nga transformimet e shoqërisë ruse në tre dekada që nga rënia e sistemit komunist.
Putin e shikon këtë event historik si “tragjedinë më të madhe gjeostrategjike të shekullit XX-të”.

Shpërbërja e 15 republikave sovjetike sinjalizoi edhe rënien përfundimtare të sistemit komunist. Kjo shthurje politike e sistemit u pasua me vështirësi ekonomike e shoqërore, pasojat e së cilës vazhdojnë ende të ndihen në “Rusinë bashkohore”.

Putin është politikani që ka dominuar jetën politike të Rusisë. Ai erdhi në pushtet me 31 dhjetor 1999 si President i dytë i Rusisë post-sovjetike falë dorëheqjes së papritur të mentorit të tij, Boris Yeltsin. Ai vazhdon të jetë njeriu më i fuqishëm i Rusisë dhe President i vendit.