Një operator droni ka marrë lejet e nevojshme nga autoritetet spanjolle për të nisur një operacion kërkim-shpëtimi të qenve që kanë mbetur në La Palma, një nga ishujt Kanare, ku prej javësh ka shpërthyer një vullkan.

Të paktën tre qenë janë vënë re nga fluturimet me dronë në disa zona të ishullit. Njerëzit janë shpërngulur që prej ditës së parë, mirëpo pas kanë mbetur disa prej kafshëve shtëpiake.

Prej disa javësh ato kanë mbetur pa ushqyer dhe në rrezik nga përparimi i llavës.

Së fundmi projekti i nisur nga Jaime Pereira ka organizuar një mbledhje vullnetare ushqimesh prej 50 kilogramësh për t’ua dërguar në ishull përmes dronëve.

Ushqimi do të përdoret për t’i joshur qentë që të lëvizin nga zonat e rrezikut e më pas në një operacion tjetër do të vendosen kafaze për t’i kapur e tërhequr me dronë larg ishullit.

Fluturimet testuese janë ende duke u kryer, mirëpo për shkak të rrezikut autoritetet kanë nxituar t’i japin dritën jeshile këtij operacioni që në mënyrë kategorike ka përjashtuar dërgimin e njerëzve në ishull.