Papa Françesku ka emëruar në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Guvernatorit të Vatikanit, një murgeshë. Emërimi është konsideruar një tjetër hap drejt barazisë gjinore në selinë e shenjtë.

Murgesha, Rafaella Petrini, 52 vjeçe, është e para grua që do të mbajë postin numër dy për nga rëndësia në drejtimin e qytet-shtetit të Vatikanit. Posti i saj është i ngjashëm me atë të një kryebashkiaku. Ajo do të ketë në mbikëqyrje më shumë se 2,000 vartës dhe do t’i raportojë Presidentit të Guvernatoratit Fernando Vérgez Alzaga.

Petrini, anëtare e Motrave Françeskane të Eukaristisë, ka shërbyer si zyrtare në Kongregacionin për Ungjillizimin e Popujve që nga viti 2005.

Murgesha, e cila ka lindur në Romë më 15 janar 1969, është diplomuar nga LUISS – një universitet prestigjioz biznesi.

Ajo gjithashtu mban një doktoraturë nga Universiteti Papnor i Shën Thomas Aquinas (Angelicum), ku aktualisht është profesore. Puna e saj e re është drejtuar tradicionalisht nga një peshkop.

Petrini do të jetë përgjegjëse për mbikëqyrjen e operacioneve administrative, duke përfshirë muzetë e Vatikanit, zyrën postare dhe policinë.

Angazhimi i saj vjen pas një lëvizje të drejtimit të Vatikanit nën ndikimin e Papa Françeskut, i cili është përpjekur vazhdimisht të lartësojë gratë.

Prej muajit shkurt ai ka emëruar edhe tre murgesha të tjera në poste të rëndësishme në Vatikan.

Në janar u ndryshuan gjithashtu ligjet kishtare. Gratë lejohen të shërbejnë si lektore në liturgji, të shërbejnë në altar dhe kungim. Sidoqoftë Papa Françesku nuk ka saktësuar nëse ndryshimi do t’i hapë rrugë grave që të shërbejnë dhe si priftërinj.