Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, vizitoi të hënën Shqipërinë, ku mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të banesave të ndërtuara nga qeveria turke për familjet që mbetën pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 në rrethinat e Laçit.

Në këtë zonë qeveria turke ka mbështetur me mbi 40 milionë euro ndërtimin e 524 apartamenteve. Erdogan u prit nga Kryeministri Edi Rama në aeroportin “Nënë Tereza” dhe të dy udhëtuan bashkë drejt Laçit. Ata u shoqëruan nga zyrtarë të të dy qeverive, si dhe kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

“Kjo është një ditë e veçantë. […] Nga takimi i parë me presidentin [Erdogan] që atë kohë ishte kryeministër i Turqisë, isha i ndrojtur se e njihja nga televizori dhe nuk dukej aq i buzëqeshur dhe kur u takuam dhe ishim ulur përballë më shikonte, por nuk buzëqeshte dhe unë akoma nuk isha bërë kryeministër dhe më tha: Shqipëria dhe Kosova janë janë në zemrën time. Shqiptarët janë në zemër të popullit turk. Unë dëshiroj që ti të jesh vëllai im, por unë do të them vëlla atëherë kur ti si kryeministër i vendit tënd të meritosh respektin e popullit tënd. Unë jam shumë krenar që mund ta quaj veten mik i presidentit Erdogan,” – u shpreh kryeministri Rama.

“Falënderoj të madhin Zot që, edhe pse Turqia u sprovua gjatë këtij procesi me tërmete e zjarre, përsëri arritëm të mbajmë premtimin tonë ndaj Shqipërisë e shqiptarëve. Ajo që dua të theksoj është parim besimi: shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasin, por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ai ka nevojë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta, të vazhdojë deri në pafundësi,” – u shpreh Erdogan.

Po në Laç, presidenti turk mori pjesë në ceremoninë e emërtimit të sheshit të qytetit me emrin e tij.

Më vonë gjatë ditës, ai u zhvendos në kryeqytet ku në një takim më zyrtar me kryeministrin Rama ai dhe përfaqësues të qeverisë turke nënshkruhen shtatë marrëveshje, memorandume mirëkuptimi dhe protokolle bashkëpunimi në fusha të ndryshme.