Real Madrid ka arritur të dalë triumfuese në “El Clasico” përballë Barcelonës. “Los Blancos” fituan me rezultatin 1-3, duke marrë 3 pikë shumë të rëndësishme në “Camp Nou”.

Real Madrid e gjeti i pari golin me Valverden që shfrytëzoi maksimalisht një pasim të Benzemas. Festa e “Galaktikëve” zgjati shumë pak, pasi Ansu Fati vendosi ekuilibrin, vetëm pak minuta më vonë.

17-vjeçari devijoi saktë pasimin e Jordi Albës, duke treguar dhe një herë tjetër se mund të jetë ai e ardhmja e Barcelonës. Një gol që mban dhe disa rekorde, pasi sulmuesi nga Guinea Bisao bëhet futbollisti më i ri që ka shënuar në një “El Clasico”. Po ashtu, ky ishte goli i 400 i Barcelonës në portën e Real Madrid.

Në pjesën e dytë, “Galalktikët” e gjetën avantazhin falë një 11-metërshi të fituar nga Sergio Ramos. Kapiteni u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Pak sekonda para fundit të ndeshje Luka Modriç realizoi dhe golin e tretë e të sigurisë për Realin. Një sukses shumë i rëndësishëm për ekipin e Zinedin Zidane që gjen qetësinë, pas një momenti jo të mirë që po kalonte.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Barcelonën në kampionat, ndërkohë që Real Madrid tashmë merr kreun e renditjes në kuotën e 13 pikëve.