La Liga nuk bën aspak pushim. Pa u mbushur ende 24 orë nga fundi i sfidës që mbylli javën e 25-të mes Levantes dhe Real Betis takim në të cilin debutoi edhe Armando Sadiku me skuadrën valenciane por pa lënë shenjë, kampionatin spanjoll rikthehet këtë të martë me javën e 26-të. Takimi që do të japë start këtij raundi do të luhet në Katalunjë aty ku Espanyoli vendas do të presë kampionët në fuqi të Realit të Madridit. Në orën 20:00 në RCDE Stadium, Los Blancos do të synojnë të ruajnë ecurinë pozitive të këtyre javëve të fundit dhe pse jo ta çojnë në 5 numrin e fitoreve radhazi në Primera Division dhe 6-të në të gjitha kompeticionet. Përballë Espanyolit që konsiderohet një kockë e fortë sidomos për skuadrat e mëdha, ekipi i Zidane nuk do ta ketë të lehtë, megjithatë duke parë formën e shkëlqyer që po kalon Reali pavarësisht disa mungesave të rëndësishme në formacion, nuk do ishte aspak çudi që madrilenët të realizonin goleadën e rradhës sot dhe të regjistronin njëkohësisht fitoren e 12-të rresht ndaj Espanyolit përfshirë këtu edhe sfida në Kupën e Mbretit. Në sfidën e orës 20:00 që do të transmetohet live nga TiBO IPTV në Supersport, Reali i Madridit nuk do të ketë në dispozicion, dyshen Modric-Marcelo ndërsa edhe Toni Kroos është në dyshim.