Edicioni i 22-të i lojës më të ndjekur televizive në Holandë “Kush është i infiltruari?” ka zgjedhur Shqipërinë për të kryer xhirimet e 12 episodeve të saj.

Kjo u bë me dije nga produksioni me një spot, të cilin e shpërndau në rrjetet sociale edhe Kryeministri Edi Rama.

Programi reality-show, bazohet te emisioni mëmë “De Mol” i televizionit belg VRT, nisur fillimisht në vitin 1998. Ai vë në garë të paktën 10 konkurrentë të cilëve u kërkohet të kryejnë sprova në mënyrë që të arkëtojnë të ardhura. Por mes tyre është një i infiltruar, i cili ka për detyrë ta sabotojë grupin. Ata duhet ta zbulojnë të infiltruarin.

Çdo vit produksioni i “Kush është i infiltruari” zhvendoset nëpër botë. Në të shkuarën kanë qenë në Australi, SHBA, Kinë, Sri Lanka, Meksikë etj. Këtë edicion ata do të jenë në Shqipëri dhe episodi i parë do të transmetohet më 1 janar 2022.

Për Shqipërinë kjo është një mundësi fantastike promovimi si për turizmin, po ashtu edhe për imazhin.

Holanda është një nga vendet skeptike për sa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Kryeministri Rama teksa e shpërndau videon e emisionit, tha se tashmë “holandezët do të njohin një Shqipëri krejt tjetër nga ajo e stereotipeve”.