Na kishte munguar sa një jetë, edhe pse ka një vit e gjysmë që nuk luhet. Pritjes tashmë i ka ardhur fundi, sepse jemi zyrtarisht në javën e derbit të kryeqytetit, Tirana-Partizani. Tifozë bardheblu e të kuq, kanë nisur që tani diskutimet, interesimin për të gjetur një biletë për këtë të premte, kur Tirana dhe Partizani do të përballen në “Selman Stërmasi” për të vendosur hegjemoninë e kryeqytetit.

Edhe këtë herë, derbi vjen si gjithmonë i paparashikueshëm, i aftë për të transmetuar pa fund adrenalinë e shpresa. Për Partizanin vjen në momentin e duhur, pasi të kuqtë kanë luajtur ndeshjen më të mirë të këtij sezoni, kundër Flamurtarit, vitamina ideale para një derbi.

Tirana është larguar e trishtuar me një pikë nga Korça dhe trishtimi për një barazim në shtëpinë e Skënderbeut, flet shumë për ambiciet bardheblu. Derbi sjell kujtimet e një jete, por ato më të freskëtat gjejnë pak nga protagonistët e dikurshëm.

Te Partizani nuk është më Sukaj, makthi bardheblu i derbit në këto vitet e fundit, ndërsa të dy skuadrat kanë pësuar shumë ndryshime dhe për të dy trajnerët, Gegën dhe Ze Marian, derbi është një emocion i paprovuar ndonjëherë nga stoli.

Është një derbi i veçantë sidomos për Tiranën që vjen pas mundimeve të Kategorisë së Parë, një arsye më tepër pse ndoshta në kampin bardheblu peshon më tepër faktori psikologjik.

Partizani ka në anën e tij dhe ecurinë e viteve të fundit, me Tiranën që nuk e fiton dot rivalitetin ndërqytetas prej plot 13 ndeshjes, pasi suksesin e fundit e ka shijuar më tepër se 4 vjet më parë.

Megjithatë derbi është 90-minutëshi i aftë të përmbysë çdo statistikë e parashikim, i aftë të ndërtojë histori nga e para, të denja për t’u kujtuar edhe pas shumë e shumë viteve, një e re do të shkruhet këtë të premte në “Selman Stërmasi”, kjo është java e derbit.

Derbi i kryeqytetit do të luhet të premten në orën 19:45 dhe do të vijë ekskluzivisht vetëm për Supersport nëpërmjet një transmetimi spektakolar, të denjë për një sfidë të tillë, që do të startojë rreth dy orë më herët me atmosferën para ndeshjes dhe do të vijojë edhe pas përfundimit të takimit me intervistat dhe përjetimet e protagonistëve.