Europa League rikthehet pas 145 ditësh në “stand -by”. Këtë të mërkurë do të zhvillohen 4 sfida, 3 prej të cilave e kanë luajtur ndeshjen e vajtjes përpara se sa futbolli të ndalej, ndërkohë që Inter-Getafe që është edhe dueli më interesant i ditës do të luhet me një ndeshje teke në Gelsenkirchen për të përcaktuar se cila skuadër do të shkojë në çerekfinale. Ziklatrit mbyllën një edicion përgjithësisht pozitiv ku u renditën në vendin e dytë në Serinë A me një pikë më pak se kampionët e Juventusit, gjithsesi nuk kanë qënë ditë të qeta për shkak të deklaratave të trajnerit Antonio Conte i cili kritikoi klubin që sipas tij nuk e mbrojti ekipin në çastet kur të gjtihë po sulmonin Interin. Përsa i përket formacionit, dyshimi i trajnerit puljez është skema, do të luajë me 3-5-2 apo me 3-4-1-2, Sanchez i rrezikon vendin Lautaros, ndërsa ka balotazh mes Skriniar e Godin në mbrojtje. Në anën tjetër Getafe që e mbylli edicionin e La Ligës me një seri negative prej 6 ndeshjesh pa fitore, ndër të cilat 4 ishin humbje dhe që i kushtuan një vend në Europë nëpërmjet kampionatit do të kërkojnë që të shkojnë sa më larg në Europa League. Bordalas do t’i besojë në sulm eksperit Jorge Molina dhe Jaime Matës. Një duel i gjithi për tu ndjekur në Gelsnekirchen.

Manchester United ka një  takim miqësor ndaj Lask Linz. Skuadra e Solskjaer ka fituar 0-5 sfidën e parë në Austri dhe duhet thjesht të zhvillojë një ndeshje formale për të vijuar më tej në çerekfinalet e kompeticionit.

Interesante është sfida mes Copenhagen dhe skuadrës së sapo shpallur kampione e Turqisë Istanbul Basaksehir. Ndeshja e parë e zhvilluar në mars përfundoi 1-0 në favor të ekipit turk pas golit të Viscës, një rezultat që mban gjithçka të hapur në takimin  e kthimti në Telia Parken të Copenhagenit.

Shakhtar Donetsk ka kryer një hap të rëndësishëm drejt çerekfinaleve pas fitores 1-2 në ndeshjen e parë në “Volksvagen Arena”  përballë Wolfsburg. Tashmë kampionëve të Ukrainës U duhet vetëm pak kujdes në Olimpiski të Kievit  për të qënë në çerekfinalet e Uefa Europa Leagues.

Të 4-ta këto sfida të ndara në dy fasha oraresh, 18:55 dhe 21:00 do të keni mundësi t’i ndiqni live nëpërmjet TiBO TV në kanalet e Supersport.