David Milarch dhe organizata e tij, i kanë vënë vetes si mision, klonimin e pemëve më të vjetra e më të mëdha në botë. Ata synojnë t’i ruajnë si një trashëgimi për të ardhmen e njerëzimit, teksa fidanët e rinj i mbjellin sërish si përpjekje për të luftuar ndryshimet klimaterike.

Milarch krijoi Arkivin e Pemëve të Lashta në 1994. Që atëherë organizata e tij studion dhe klonon pemët më të lashta në botë, kryesisht sekujat gjigante dhe drurët e kuq, të cilët shkojnë deri në 2-3 mijë vjet.

“Është si të gjesh një familje diku në një zonë të largët, ku njerëzit janë 200 deri në 300 vjeç. A nuk do të dëshironit t’u studionit gjenetikën dhe të zbulonit se si ata janë në gjendje të jetojnë për kaq gjatë?” – shprehet Milarch.

Synimi i organizatës është ripyllëzimi i Tokës me pemë që janë rezistente ndaj ngrohjes globale.

Sekuojat e fundit të mbetura në botë janë të kufizuara në 75 korije, të shpërndara përgjatë një brezi të ngushtë të Sierra Nevadës perëndimore në Kaliforni, SHBA. Ata kanë trungje masive me lëvore deri në 45 centimetra të trasha dhe mund të rriten mbi 90 metra lartësi.

Sekuiat gjigante, që kanë mbijetuar mijëra vjet, tani rrezikojnë të zhduken nga zjarret gjithnjë e më intensive të nxitura nga ndryshimet klimatike. Deri në vitin 2015 nuk ka pasur raportime për djegie të tyre.

Por vitin e shkuar shkatërrimi i këtyre pemëve madhështore arriti nivelet e paprecedentë, kur 10-14% e 75,000 pemëve më të mëdha se 122 centimetër në diametër u shkatërruan.

Pema më e famshme e sekuojës mbetet Gjeneral Sherman në Parkun Kombëtar të Sekuojës në Kaliforni. Pema, e cila është ende e gjallë, është 88 metra e lartë dhe me një trung që shkon deri 11 metra gjerësi. Ajo mendohet të jetë 2,200-2,700 vjeçare.

Por Gjeneral Sherman nuk është pema më e madhe dhe më e lashtë në histori. “Lindsey Creek” një pemë e rrëzuar nga era në vitin 1905 ishte 119 metra e lartë dhe me gjerësi trungu që shkonte deri në 40 metra.

Milarch thotë se pemët me dru të kuq, sekuoja, kanë aftësi të filtrojnë 10 herë më shumë dioksid karboni se pemët me lartësi mesatare. Ai beson se një mënyrë për të luftuar ngrohjen globale është duke ri-mbjellë këto lloje pemësh të lashta.

Sipas programit të tij, brenda 4 vitesh ai do mund të mbjellë 5 milionë sekuoja, por Milarch thekson se që të ketë efekt duhen qindra milionë.