Rita Ora ka elektrizuar të pranishmit në sheshin “Skënderbej” me zërin e saj fantastik dhe superhitet që interpretoi për fansat në kryeqytetin shqiptar.

27-vjeçarja kosovare u ngjit në skenë në orën 21:30, shoqëruar nga duartrokitje pafund. Veshur me të verdha, këngëtarja e famshme u rikthye në Tiranë pas 6 vitesh me një look të ri, jo më bionde, por me flokë të kuqe.

Adhurues të këngëtares me famë botërore, mbushën sheshin qëndror të Tiranës për të ndjekur fillimisht muzikën që sollën disa deejay të njohur.

Më parë në skenë ishte ngjitur këngëtarja kosovare Kida me disa nga këngët e saj, për t’i lënë vendit yllit të muzikës, Rita Ora.

Në pak ditë sheshi Skënderbej është kthyer në një skenë gjigande për emra të njohur të muzikës botërore. Kujtojmë se rikthimi i Rita Orës pas 6 vitesh në Tiranë, vjen pas koncertit që mbajti dy netë më parë në sheshin Skënderbej, fituesi i Sanremos, Ermal Meta.