SHBA qortoi për papërgjegjshmëri Rusinë, e cila shpërtheu një nga satelitët e saj të vjetër duke vënë në rrezik ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar të Hapësirës.

Stacioni ka aktualisht 7 anëtarë ekuipazhi në bord – 4 amerikanë, 1 gjerman dhe 2 rusë. Ai lëviz sipas një orbite të caktuar, të cilën shtetet e ndryshme janë zotuar ta mbajnë të lirë dhe të pacenuar nga mbetjet kozmike.

Sateliti që u shpërthye ishte Kosmos-1408, i lëshuar nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitin 1982 dhe që shërbente kryesisht për spiunazh, por që pati dalë nga përdorimi prej shumë vitesh.

SHBA tha se Rusia vuri në provë raketat anti-satelitore duke shpërthyer në më shumë se 1,500 pjesë satelitin Kosmos. Kjo detyroi ekuipazhin e Stacionit Ndërkombëtar që të vendosej menjëherë në kapsulat e emergjencës.

NASA shprehu gjithashtu indinjatë duke theksuar se u vunë në rrezik stafi dhe satelitët e të gjitha vendeve. Ndryshe, agjencia ruse e hapësirës, Roscosmos e minimizoi ngjarjen.

Një numër i ndryshëm vendesh kanë aftësinë për të shpërthyer satelitët direkt nga toka, duke përfshirë SHBA-në, Rusinë, Kinën dhe Indinë.

Testimi i raketave të tilla është i rrallë, por gjithmonë shkakton reagime pasi ndot hapësirën dhe del nga zotimi i përgjithshëm për të mos kthyer në garë armatimi edhe këtë pjesë.

Mbetjet kozmike përbëjnë rrezik të vazhdueshëm për misionet operative hapësinore dhe sidomos satelitët e komunikacionit.

Shpejtësia me të cilën lëvizin mbetjet është aq e lartë sa mund të shpojnë lehtësisht veshjet e kozmonautëve apo dhe muret e moduleve të satelitëve.