Saga e 30 qershorit: Beteja e opozitës “për zgjedhje të lira”

2021-12-17T12:47:50+01:00December 5th, 2021|Editoriale|0 Comments

Zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019 u zhvilluan pa opozitën. Ajo e bojkotoi procesin me protesta “për zgjedhje të lira e të ndershme”, aksion politik që me kalimin e kohës u venit.

Më parë, në shkurt 2019, PD dhe LSI braktisën Kuvendin duke lëshuar 62 mandatet. Në legjislaturën paraardhëse “kali i betejës” për ta kishte qenë dekriminalizimi i politikës, i kufizuar nga PS në vetëdeklarime përpara kandidimit apo emërimit të zyrtarëve.

Tanimë për ta ishte procesi zgjedhor, por që ngjashëm si në artikulimet e para-vitit 2017 nuk kishte një propozim konkret për një reformë të mundshme të sistemit.

Nën trysni të ngjashme, në vitin 2017 opozita i pati detyruar socialistët që të lëshonin qeverinë dhe t’i organizonin zgjedhjet parlamentare bashkë, – edhe pas tyre pati akuza për manipulime. Por në vitin 2019 situata ishte ndryshe. Opozita kërkonte zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare dhe vendore.

Nga kërkesat e tyre kuptohej se opozita ishte e gatshme të shkonte në këto zgjedhje të jashtëzakonshme (të kërkuara) edhe pa ndryshuar sistemin zgjedhor. Por socialistët refuzuan çdo lloj diskutimi dhe shkuan në zgjedhje vetëm.

Në dhjetor 2018, hetimet për zgjedhjet vendore në Dibër (2016, Dosja 184) dhe zgjedhjet parlamentare në Durrës (2017, Dosja 339) patën rrjedhur në media duke nxitur një valë akuzash nga opozita për qeverinë.

Retorika u shumëfishua kur këto informacione, të shoqëruar me audio-përgjimet, u botuan në pranverën e vitit 2019 nga gazeta gjermane “Bild”. Këto artikuj i dhanë më tepër zë protestave të opozitës që tashmë ishte jashtë parlamentit.

Zgjedhjet e 30 qershorit u zhvilluan nga socialistët pavarësisht trysnisë së madhe të ushtruar nga opozita dhe gjithashtu Presidenti. Ato madje u çertifikuan nga ndërkombëtarët.

Ngjarje si tërmeti i 26 nëntorit 2019, e larguan përkohësisht nga vëmendja përplasjen politike mes opozitës dhe shumicës socialiste. Por në janar 2020 palët befasuan opinionin publik duke nxjerrë si zgjidhje një tryezë jashtëparlamentare negocimi PS-(PD+LSI)-Opozitë parlamentare.

Opozita u ul në tryezë me një nga personat që akuzonte më tepër për vjedhjet e zgjedhjeve në Dibër.

Kjo ndodhi nën premtimin e PS-së se marrëveshja që do të arrihej do të miratohej pa ndryshime në atë parlament prej, të cilit opozita u largua një vit më parë dhe nuk kishte vota kushtëzuese.

Kërkesat e opozitës ishin për përdorimin e teknologjisë, apolitizmin e procesit të administrimit zgjedhor, hetimin e krimeve zgjedhore nga SPAK-u.

Befas pjesë e diskutimeve u bë edhe mënyra se si do të ishin listat e kandidatëve, por pa përmendur qartë modelin e sistemit.

Si përfundim dakordësia e arritur në tryezë u hodh poshtë në Kuvend nga socialistët të cilët përkrahën lista gjysmë të hapura dhe votë preferenciale për kandidatët e listuar.

Ata e ndryshuan marrëveshjen duke ndryshuar të vetëm – me votat e opozitës parlamentare – Kodin Zgjedhor dhe Kushtetutën.

Pavarësisht se nuk u arrit të miratohej vota për emigrantët, apo vota me teknologji, opozita hyri në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Garancitë e kërkuara gjatë protestave kombëtare të 2019-ës u harruan përkohësisht duke përfunduar në deklarata populiste se “PD do ta mbronte vetë votën”.

Rezultati ishte i njëjtë. Ajo i humbi zgjedhjet dhe pas humbjes togfjalëshi “masakër zgjedhore” mbeti pjesë e artikulimit kryesor.

Beteja e PD-së për zgjedhje të lira vazhdon, të paktën në retorikë.

Ndryshe nga 30 qershori 2019, ajo ka deputetë në Kuvend (legjislatura e re pas 25 prillit 2021) për ta kushtëzuar një reformë tjetër të sistemit zgjedhor, por reforma nuk është qartësuar duke dhënë idenë se ngjashëm si në të shkuarën, sërish po kërkohen tryeza jashtë Kuvendit.

*Shkrimi nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë TIBO, por vetëm të autorëve Artenis Peka dhe Erblin Vukaj.

Lexoni gjithashtu:

Share This Story, Choose Your Platform!

We use cookies to enhance your experience. By continuing to visit this site you agree to our use of cookies. More info Prano