Saga e zgjedhjeve të 30 qershorit: Beteja e Presidentit “për Kushtetutën”

2021-12-16T16:01:03+01:00December 3rd, 2021|Editoriale|0 Comments

Në vitin 2019 Presidenti përshkallëzoi në përplasje kushtetuese krizën politike mes shumicës socialiste dhe opozitës, e cila kishte deklaruar bojkotin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit.

Kreu i shtetit, i betuar si “Mbrojtës i Kushtetutës”, anuloi datën e zgjedhjeve dhe vendosi një datë të mëvonshme. Por qeveria ia shpërfilli dekretet dhe i shkoi deri në fund procesit edhe pa opozitën.

Çështja u çua në Gjykatën Kushtetuese (GJK) nga Shoqata e Bashkive, por dy vite më pas për të nuk pati vendim konkret.

Presidenti anuloi datën 30 qershor sepse:

  • kishte tension të madh politik mes palëve,
  • rrezikohej përshkallëzim në trazira popullore,
  • opozita nuk do të merrte pjesë në zgjedhje,
  • procesi do të kishte rezultat fiktiv, pasi nuk kishte alternativa,
  • procesi pa opozitën do të cenonte integrimin në BE,
  • rrezikohej kapje e pushtetit vendor nga partia në pushtet,
  • shtyrje të datës së zgjedhjeve ka pasur edhe më parë (viti 2007),

Kurrë në Shqipëri nuk kishte ndodhur që një president të vendoste objekt dekreti zhbërjen e një dekreti tjetër. Për më tepër, dekreti i 10 qershorit 2019 që anuloi datën e zgjedhjeve u botua (më 11 qershor 2019) në Fletoren Zyrtare.

Botimi sillte efekte juridike për palët që angazhohen në zgjedhje – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) si organizuese dhe partitë si pjesëmarrëse.

Nga momenti i botimit në Fletoren Zyrtare të aktit të Presidentit, KQZ duhej të ndërpriste punën dhe partitë të ndërprisnin fushatën. Por kjo nuk ndodhi pasi qeveria e konsideroi dekretin “në shkelje të Kushtetutës”.

Por prej datës 11 qershor 2019 praktikisht vendi ishte pa datë zgjedhjesh vendore.

Presidenti ftoi palët për të diskutuar për një datë tjetër si mënyrë për të ulur edhe tensionin politik. Ftesa u refuzua nga shumica socialiste, e cila kontrollonte KQZ-në e lëshuar nga opozita.

Pas 17 ditësh ku shumica socialiste nuk u angazhua për të gjetur mirëkuptim me opozitën, Presidenti vendosi vetë një datë zgjedhjesh, 13 tetorin. Por ky dekret i dytë nuk u botua në Fletoren Zyrtare. Këtë Presidenti e konsideroi “uzurpim kompetencash” dhe “cenim të demokracisë”.

Në Fletoren Zyrtare tanimë nuk kishte datë për zgjedhjet vendore. Sidoqoftë Kryeministri deklaroi me bindje ato do të zhvilloheshin gjithsesi më 30 qershor. Pas kësaj KQZ çoi deri në fund procesin.

Nga kjo situatë e krijuar, Presidentit i lindte e drejta që t’i drejtohej GJK-së për të kërkuar sqarim të rolit dhe pozitës së dekretit presidencial në hierarkinë e normave.

Në thelb çështja e përplasjes ishte: Dekreti është akt me karakter normativ, apo akt administrativ nënligjor (për të cilën institucione si KQZ-ja mund edhe të mos i bindet)?

Por Presidenti nuk iu drejtua GJK-së – e cila, e përfshirë nga reforma në drejtësi, nuk kishte numrin e mjaftueshëm të (6) anëtarëve për të marrë vendim.

Me një retorikë të rëndë, ku nuk kurseu as ndërkombëtarët, Presidenti u rezervua vetëm te mbështetja e kërkesës së Shoqatës së Bashkive. Kjo ishte e vetmja që iu drejtua Gjykatës që të shpallte zgjedhjet e 30 qershorit të paligjshme.

Siç u pa dy vite më vonë, në vendimin e arsyetuar të GJK-së, mosveprimi i Presidentit ishte një nga arsyet pse Gjykata rrëzoi kërkesën e Shoqatës (shiko paragrafi 60 i vendimit).

Shoqata nuk kishte të drejtë ta bënte kërkesën për dy arsye, sepse nuk përfshihej në zgjedhje dhe nuk kishte kompetenca për procesin. Ndryshe Presidenti ka si kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve (Neni 92 i Kushtetutës) për këtë përfshihet në proces dhe mund të kishte të drejtë t’i kërkonte GJK-së paligjshmërinë e procesit.

GJK u shpreh se “nuk ishte kompetente të trajtonte proceset zgjedhore në përgjithësi” por “vetëm kandidatë specifikë në garë”(shiko sërish paragrafin 60 të vendimit).

Ky vendim nxiti reagimin e Presidentit, i cili tha se “Gjykata i kishte zhgënjyer të gjitha pritshmëritë në rolin e saj në krizat kushtetuese”.  Sipas tij “ky vendim nuk prek, nuk krijon asnjë detyrim dhe nuk nxjerr asnjë përgjegjësi për asnjë nga palët e përfshira në proces”.

Presidenti shtoi se kështu “qeverive e u jepet mundësia të interpretojnë e të realizojnë zgjedhje në kohën dhe momentin që vendosin vetë.”

Rreth tre vjet më vonë, kur të paktën 6 bashki janë pa kryetarë të zgjedhur – por të emëruar, – çështja e zgjedhjeve të 30 qershorit mbetet e pazgjidhur dhe me rrezikun që ajo të përsëritet sërish.

Presidenti nuk i njeh zgjedhjet e 30 qershorit, për rrjedhojë e ka bërë të qartë se nuk dekreton datë për zgjedhje të pjesshme për këto bashki.

Për sa kohë Gjykata Kushtetuese nuk shprehet për këtë situatë, kriza e 2019-s vazhdon.

*Shkrimi nuk përfaqëson qëndrimet e kompanisë TIBO, por vetëm të autorëve Artenis Peka dhe Erblin Vukaj.

Lexoni gjithashtu:

Share This Story, Choose Your Platform!

We use cookies to enhance your experience. By continuing to visit this site you agree to our use of cookies. More info Prano