Artisti i mozaikëve, Saimir Strati ka shënuar rekordin e 11-të në Librin e Rekordeve Guinness.

Në 15 metra katrorë, të mbuluar me 250 mijë vida të ngjyrave dhe dimensioneve të ndryshme, Strati arriti të realizonte portretin e Ataturkut për 37 ditë.

Portreti i krijuesit të shtetit turk, Mustafa Kemal Ataturku, qëndron në ekspozitën e hapur të kishës historike greke të qytezës Bor.

“Vepra është titulluar “Vizionari”, sepse materia me të cilën është bërë ka shumë shkëlqim. Vidat janë material modern dhe shkëlqimi që ka vepra i përshtatet figurës së Ataturkut”- tha Saimir Strati.

Vepra e artistit shqiptar nga turqit është quajtur si dedikimi më i mirë i kushtuar Ataturkut. Për këtë arsye Saimir Strati u respektua nga një qytet i tërë, transmeton TCH.

“Dhe në nder të asaj vepre gjigante që unë bëra përveç çertifikimit nga Londra, mua më dhanë dhe çelësin e art të qytetit. Ishte shumë emocionuese”, vazhdoi më tej ai.

Ky lajm nuk është befasues më, ai gjithnjë është duke punuar për një tjetër rekord botëror.

“Kjo pyetje vjen nga të gjithë tashmë, ndryshe nga hera e parë ku askush nuk më besonte. Atje ku do të më ftojnë do të zgjedh materialin dhe dimensionin, subjektin.

Nga Shqipëria nuk kam pas ftesë. Unë tashmë jam një artist internacional e nëse ftesa më vjen nga vend tjetër do të shkoj sepse unë mund të thyej një tjetër rekord Guinness. Por do të kisha pas dëshirë pse jo në Shqipëri, edhe pse veprat që i kam në Shqipëri nuk janë të ekpozuara”- u shpreh Saimir Strati.

Shqiptari i Librit Guinnes rekordin e parë e ka shënuar me portretin e Leonardo Da Vinçit, të punuar me gozhdë. Nga 11 vepra që janë pjesë e librit të rekordeve, 7 prej tyre ndodhen në Shqipëri.

Burimi: rtk