Me ardhjen e muajit Shtator, Televizioni Kombëtar Klan rinis sezonin e ri televiziv, me një programacion të pasur, plot surpriza e personazhe të rinj, pa harruar edhe serialet më të ndjekura televizive.

Duke filluar nga data 5 Shtator, në ekranin e Klan rikthehet programi i mëngjesit “Aldo Morning Show”, si gjithnjë nga e hëna në të premte, në orën 06:59.

Pas rreth një viti mungesë, po më 5 Shtator, nën drejtimin e Rudina Magjistarit rikthehet emisioni i pasdites. Me një pamje të re dhe emër të ri, programi i pasdites vjen nën emrin “Rudina” dhe do t’ju shoqërojë çdo ditë, nga e hëna në të premte në orën 17:00.

Kjo ditë (5 Shtatori) risjell gjithashtu emisionin satiro – Investigativ “STOP”, nën drejtimin e Saimir Kodrës dhe Gentian Zenelaj, nga e hëna në të premten, në orën 20:00. “STOP” vjen me tema të reja, probleme të ndryshme të qytetarëve të cilët kërkojnë zgjidhje për problemet e tyre, tema sociale nga realiteti shqiptar, kamera të fshehta etj.

Duke filluar nga data 8 Shtator, nën drejtimin e gazetarit Blendi Fevziu, rikthehet “Opinion”, emisioni më i ndjekur dhe më i preferuar i shqiptarëve. Çdo javë, në studion e Televizionit Klan do të keni mundësinë të ndiqni komente analiza, debate, intervista, personazhe, dëshmi e fakte konkrete. “Opinion ” vjen nga e hëna deri të mërkurën në orën 22:15 dhe të enjten në orë 21:00.

Nën drejtimin e Arjan Çanit, të premten e 9 Shtatorit, rikthehet emisioni “Zonë e Lirë”, si gjithnjë në orën 21:00. Ngjarje të ndryshme të aktualitetit, politikës, sociale, kulturore, lokale e ndërkombëtare ashtu sikurse edhe personazhe të ndryshëm do t’ju shoqërojnë çdo të premte për të rrëfyer e dëshmuar historitë e tyre, vetëm në ekranin e Televizionit Klan.

Nga 10 Shtatori, si çdo të shtunë në orën 20:05, nën drejtimin e moderatores, Floriana Garo rikthehet “Jo vetëm Modë”. Një program lifestyle, që për 60 minuta promovon turizmin e kulturën dhe vendet e mrekullueshme të Shqipërisë. “Jo vetëm Modë” do të vijë me evente të reja speciale kulturore.

Nën drejtimin e një prej personazheve më të dashur për publikun shqiptar, aktorin e humorit Ermal Mamaqi, i cili iu bashkua familjes së madhe të Televizionit Klan në fillim të Qershorit, vjen emisioni më i ri “Xing me Ermalin”. Çdo të shtunë në orën 21:00, ky program do të servirë humor e surpriza pa fund.

E Diela Shqiptare”, programi më popullor në të gjitha familjet shqiptare, rikthehet çdo të diel në orën 13:30, duke filluar nga data 18 Shtator. Nën drejtimin e showman–it Ardit Gjebrea, “E diela shqiptare” do t’ju shoqërojë përgjatë 6 orëve me një programacion të pasur dhe rubrika të ndryshme.

Më 12 Shtator rikthehet spektakli i kërcimit “Dance With Me 4”, çdo të hënë në orën 20:15. Personazhe të njohur për publikun shqiptar, nga fusha të ndryshme të artit dhe televizionit, për 14 javë me radhë do të vijnë me perfomanca të ndryshme, humor e argëtim. Edhe për këtë sezon të ri televiziv Alketa Vejsiu dhe Vera Grabocka premtojnë surpriza pafund, ndaj mos u largoni nga ekrani i Televizionit Klan.

Gjithashtu, Shtatori rikthen tre prej telenovelave më të dashura për publikun shqiptar. “Sarasvaticandra”, “Fate të Kryqëzuara” dhe “Ertugrul”, vijnë në ekranin e Televizionit Klan me episode të reja.

Më 5 Shtator, nga e hëna në të premte në orën 18:20 rikthehet seriali “Sarasvaticandra”. Duke filluar nga 11 Shtatori, çdo të diel, në orën 20:10 rikthehet seriali “Fate të kryqëzuara”. Ndërsa më 13 Shtator do të keni mundësinë të ndiqni seritë e reja të serialit “Ertugrul”, çdo të martë dhe të mërkurë në orën 21:00.

Nga 5 Shtatori… Rekord në prodhimtari, rekord në audiencë. Autorët, prezantuesit dhe producentët më të famshëm dhe më të suksesshëm. Prodhim dhe transmetim në HD. “Klan” është televizioni shqiptar më i ndjekur!

Burimi / tvklan.al