Dritan Shakohoxha, kandidati zyrtar që garon përballë Armand Dukës për drejtimin e FSHF për 4 vitet e ardhshme kërkon zyrtarisht shtyrjen e zgjedhjeve. Pas vendimit të gjykatave shqiptare për të pezulluar zgjedhjet, Shakohoxha i është drejtuar zyrtarisht me një letër Komitetit Ekzekutiv të Federatës, Presidentit në detyrë Armand Duka, Sekretarit të përgjithshëm të FSHF Ilir Shulku dhe Komisionit të Verifikimit që të marrin masat për shtyrjen e zgjedhjeve në një datë tjetër. “Në cilësinë e kandidatit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe në respektim të qëllimit tonë të përbashkët të zhvillimit të një procesi zgjedhor të ligjshëm dhe statutor; kërkoj nga ana Juaj, që në respektim të përcaktimeve të bëra në këto vendime gjyqësore, të merrni masat e nevojshme për shtyrjen e mbledhjes së datës 02.03.2022 të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit deri në marrjen nga Gjykata të një vendimi të formës së prerë dhe njoftimin zyrtar nga ana Juaj në lidhje me këtë shtyrje, drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe kandidatëve të regjistruar aktualisht për pozicione të ndryshme brenda Federatës Shqiptare të Futbollit”, thuhet në kërkesë.

Shakohoxha bën me dije se si kandidat për President i Federatës Shqiptare të Futbollit, është njoftuar zyrtarisht nga Zyra e Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me Urdhrin për zbatimin e Vendimit nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për marrjen e masës së sigurimit të padisë, përmes të cilit Përmbaruesi Gjyqësor urdhëron: (1) pezullimin e efekteve juridike të Vendimit nr. 1, datë 10/01/2022 të Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë; (2) pezullimin e efekteve juridike të Vendimit të datës 02.01.2022, të Komitetit ekzekutiv të FSHF-së, si dhe të çdo veprimi apo akti tjetër të dalë në zbatim të këtij vendimi, për realizimin e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore të FSHF-së, të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë; (3) pezullimin e veprimtarisë së Komisionit të Verifikimit të FSHF-së, në ushtrimin e kompetencave të tij statutore, për organizimin, mbikëqyrjen dhe drejtimin e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së të datës 02.03.2022, deri në zgjidhjen e konfliktit (nga Gjykata) me një vendim të formës së prerë.

Ai nënvizon se zgjedhjet e 2 marsit nuk mund të zhvillohen për sa kohë ka mungesë të veprimtarisë së ligjshme të Komisionit të Verifikimit, i cili sipas Statutit të FSHF-së, është i vetmi organ përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor dhe verifikimin e legjitimitetit të delegatëve të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së.

Kandidati Shakohoxha u kujton organeve drejtuese të FSHF-së se në rast të moszbatimit të vendimeve të dhëna nga gjykata për pezullimin e zgjedhjeve, kryerja nga çdo funksionar apo anëtar (i drejtpërdrejt apo i tërthortë) i FSHF-së apo dhe nga çdo person tjetër, i veprimeve apo mosveprimeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta në drejtim të realizimit të një mbledhje të Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së përpara marrjes nga Gjykata të një vendimi të formës së prerë, por edhe thjesht pjesëmarrja jonë si kandidat në një mbledhje të tillë të Asamblesë së Përgjithshme përbën shkelje.

“Në këtë aspekt, theksoj që çdo mbledhje apo vendimmarrje e Asamblesë së Përgjithshme të FSHF-së dhe organeve të tjera të FSHF-së e cila bie ndesh me zbatimin korrekt të Vendimit nr. 274 regj. them., datë 17.02.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe Urdhërit të Zyrës së Përmbarimit “BASHA & I” SH.P.K. në lidhje me këtë vendim gjyqësor, prek drejtpërsëdrejti interesat e mia si kandidat për pjesëmarrjen, kandidimin dhe zgjedhjen, në një proces zgjedhor, të ligjshëm, statutor dhe të pakontestueshëm jo vetëm gjyqësisht, por madje as nga opinioni publik”, thekson në kërkesën e tij Dritan Shakohoxha që garon përballë Armand Dukës.