Shtetet e Bashkuara njoftuan të premten se prej 8 nëntorit do të rihapin kufijtë për udhëtarët e vaksinuar nga COVID-19.

Përmes rregullave të reja të njoftuara nga Shtëpia e Bardhë, udhëtarët e vaksinuar, të cilët duhet të kenë edhe një test negativ – të kryer deri 72 orë para udhëtimit, – do të lejohen të hyjnë në SHBA.

Lëvizja shënon fundin e një serie kufizimesh që kishte bllokuar pothuajse shumicën e udhëtimeve nga fundi i vitit të shkuar.

Rregullat aktuale i ndalonin jo-rezidentët dhe jo-shtetasit amerikanë nga një seri vendesh ku COVID-19 ka pasur përhapje të madhe.

Me rregullat e reja ata që do të lejohen të udhëtojnë do të duhet të kenë kryer një nga vaksinat e aprovuara nga autoritetet amerikane dhe OBSH.