Autoritetet lokale të Genoa në Itali kanë shembur me eksploziv pjesën e mbetur të urës “Morandi” që u rrëzua gati 1 vit më parë. Mijëra banorë në atë zonë u evakuuan përpara se shembeshin pjesët e mbetura të urës të përbëra nga rreth 4500 ton beton dhe çelik.

Nëpër këmbët dhe pjesët e tjera të urës ishin vendosur eksploziv. Zjarrfikës dhe autobotë ishin në gadishmëri përreth perimetrit për të parandaluar përhapjen e pluhurit. Kurse rrugët ishin mbyllur në një rreze prej 300 metrash, duke bllokuar qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.

Një vit më parë nga shembja e urës humbën jetën 43 persona, mes të cilëve edhe dy shqiptarë. Pas kësaj tragjedie nisi një debat i madh për sigurinë e urave në të gjithë Italinë.

Burimi: tvklan.al