Luhet Shqipëri – Kosovë, vëllazërorja e shqiptarëve, që vjen në një kohë të pazakontë, në kohën e Koronavirusit, kur është e vështirë të bësh të gjithë skuadrën bashkë për shkak të kufizimeve të pandemisë. Një miqësore që nuk e pritën me shumë entuziazëm dy trajnerët respektivë, Edy Reja dhe Bernard Challandes, të cilët u shprehën hapur në konferencat për shtyp se do të donin ta kishin evituar, por që për futbollistët kuqezi dhe ata “Dardanë” e patjetër edhe për tifozët mbarëshqiptarë, është një ndeshje e veçantë.

Ishte një datë e lirë e FIFA-s, që duhej shfrytëzuar, para dy sfidave të fundit të Nations League dhe përzgjedhja e kësaj përplasjeje brenda një gjaku ishte e vetmja e mbetur në tryezë. Si Shqipëria ashtu edhe Kosova, kërkojnë të ngrenë kokë pas mungesës së rezultateve. Por, nëse “Dardanët” kanë nisur të mendojnë për eliminatoret e Botërorit të ardhshëm, pas zhgënjimit të madh që pësuan në ndeshjen play off përballë Maqedonisë së Veriut, kuqezinjtë kanë shanse reale të arrijnë objetivin, vendin e parë në grup, duke i fituar dy takimet e fundit me Kazakistanin dhe Bjellorusinë, sigurisht me shpresën se Lituania do të lërë pikë në Kazakistan dhe Bjellorusi.

Mungesat e shumta, sidomos në krahun e majtë, e kanë detyruar Edy Rejan të thërrasë, në një moment emergjencë, dy lojtarë të Tiranës, Hoxhallarin dhe Ismajlgecin, të cilët janë projektuar të luajnë ndaj Kosovës, sikurse Çepele. Një shans që duhet kapur nga futbollistët bardheblu, për t’i treguar trajnerit italian se duhen marrë në konsideratë në të ardhmen.

Mungesat vijojnë të përndjekin edhe përfaqësuesen e Kosovës, megjithatë për “Dardanët” dy ndeshjet e radhës në “Nation League” kanë më pak rëndësi sa u përket pikëve, pasi qëllimi i tyre është thjesht të mbajnë Moldavinë në vendin e fundit.