Skuadra kombëtare hyn në ritëm të plotë stërvitor në kuadër të ndeshjes miqësore të 13 nëntorit me Turqinë në Antalya. Ekipi kuqezi me disa prurje të reja në listën e Panuccit është akomoduar në një resort turistik ku zhvillon dy seanca stërvitore në ditë. Trajneri është fokusuar në punën me repartet e ndara pasi mbrojtja ka punuar e veçuar, po ashtu edhe mesfusha e sulmi. Këto ditë i shërbejnë Panuccit për të njohur sa më shumë skuadrën që ndryshe nga ndeshjet zyrtare, do të testojë disa emra të rinj si Kamer Qaka apo futbollisti tjetër Astrit Ajdarevic. Një vëmendje të veçantë, Panucci i ka kushtuar edhe aspektit fizik pasi 90 minutëshi ndaj Turqisë kërkon energji të mëdha fizike dhe një pjesë e madhe e lojtarëve vijnë me minuta të shumta në këmbë. Seancat stërvitore zhvillohen paradite dhe pasdite, pranë kompleksit ku është akomoduar kombëtarja.