Autoritetet në Shqipëri kanë marrë masa për implementimin e vendimit të Qeverisë për futjen në funksion të pagesës së autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë, e që quhet ndryshe Rruga e Kombit

Nga disa fotografi të publikuara shihet se tashmë janë instaluar pajisjet që shërbejnë për të klasifikuar automjetet të cilat do të paguajnë nga 2.5 deri në 22.5 euro për një drejtim para tunelit të Kalimashit.

 

TAKSA E “RRUGËS SË KOMBIT”

Klasa 1/ Motorët – 2.5 Euro
Klasa 2/ Veturat – 5 Euro
Klasa 3/ Autobus & kamionçina – 11.2 Euro
Klasa 4/ Kamion i mesëm – 16.2 Euro
Klasa 5/ Kamion i rëndë – 22.5 Euro

 

Ministria e Infrastrukturës dhe Transporteve thotë se të ardhurat do të shërbejnë për mirëmbajtjen e këtij aksi. Lajmi ka shkaktuar reagime të forta, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. I pari që e konsideroi të turpshme këtë taksë është ish-kryeministri Sali Berisha.

 

“Duke filluar nga sot, çdo automjet që do kalojë në Rrugën e Kombit do paguajë taksën “Edvin”; 5 deri ne 10 euro! Shqipëria nga Rruga e Kombit siguron mbi 300 milionë euro të ardhura në vit. Në vend që një përqindje e tyre të përdoren për mirëmbajtjen e saj, Edvin Kristaq Rama takson shqiptarët pse udhëtojne tek njeri-tjetri! Turpi i Kombit!” – shkruan Berisha.

 

Nuk ka munguar edhe një reagim nga kreu i PD-së, Lulzim Basha, ministër në kohën e ndërtimit të kësaj rruge.

“Qytetaret e Kosovës do ta ndiejnë te parët këtë akt primitiv të urrejtjes nga banda në pushtet ne Shqipëri. Kjo tarifë është një barrierë dhe kosto e shtuar për ta. Ky akt kriminal dëmton edhe ekonominë e Shqipërisë, duke rritur koston për shërbimet dhe produktet dhe duke goditur qytetarët dhe bizneset, nga Kukësi e Mirdita në Lezhë, Shkodër, Kurbin, Krujë, Tiranë dhe në Portin e Durrësit.

Turizmi po kështu do të pësoje një goditje të rendë. Por me se shumti ate do ta ndiejnë banoret e varfër te zonave rreth Rruges se Kombit te cilët edhe aktualisht e kane tejet te vështirë te përballojnë tarifat e furgoneve e autobusëve” – shkruan Basha në një reagim të gjatë duke premtuar se kur PD të vijë në pushtet do të anulojë këtë koncesion sepse cenon interesat e shqiptarëve dhe “përgjegjësit do të vihen përpara drejtësisë”.

Vendimi nuk është pritur mirë as nga autoritetet e Kosovës. Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj është shprehur për Gazetën Express se askush nuk i ka lajmëruar se do të ketë taksë rrugore për “Rrugën e Kombit”.

“Asnjë konsultë nuk kanë bërë me Kosovën. Është dashur të paktën të bisedojnë dhe të na tregojnë për këtë taksë. Të hënën, do t’ua bëj një shkresë zyrtare për një takim dhe të shohim. Realisht, është taksë e madhe për shqiptarët”, – ka shtuar ai.

Për veturat e zakonshme do të vlejë tarifa prej 5 euro për një hyrje, shifër kjo që është cilësuar si e lartë dhe e papranueshme për një distancë të tillë të autostradës.

Shumë kosovarë e kanë kritikuar këtë vendim të Shqipërisë, madje disa edhe e kanë quajtur plaçkitje këtë taksë. Të tjerë kanë argumentuar që autostradat paguhen në tërë botën, por që çmimi është i lartë duket se ka pajtim në opinionin kosovar.

Mediet kanë raportuar që kompania që ka marrë me koncesion mirëmbajtjen e autostradës është pronë e biznesmenit më të pasur në Shqipëri – Shefqet Kastratit – që gjithashtu njihet për lidhjet e tij me Edi Ramën.

Burimi/ Gazeta Express