Revista e njohur ‘Forbes’ ka bërë një listë me 30 persona, që janë shumë të suksesshëm nën moshën 30-vjeçare.

Në mesin e 30 personave si shumë të suksesshëm për Evropën në fushën e artit dhe të kulturës, është edhe një shqiptare.

Bëhet fjalë për Marina Sula. Ajo ka lindur në Lezhë të Shqipërisë dhe është diplomuar në Universitetin e Vjenës për histori artesh. Marina ka vazhduar studimet në Akademinë e Arteve të Bukura, gjithashtu në Vjenë, ku jeton dhe vepron, derisa ka marrë pjesë në tetë ekspozita që nga viti 2014 në Shqipëri, Austri dhe Itali. Katër nga këto ishin ekspozita personale.

Sipas ‘Forbes’, puna e shqiptares përfshin instalacione hapësinore, fotografi, skulptura dhe vizatime digjitale abstrakte.

Ekspozita ‘Soft Power’ në Galerinë Gabriele Senn të Vjenës në fund të vitit 2016, u vlerësua mirë për përdorimin e strategjive të reklamave dhe performancës së mediave sociale për të shpërbërë dallimet mes të jashtmes, brendshmes, privatësisë dhe ekspozimit.