Shtëpia e filmit më të famshëm të Krishtlindjeve, “Home Alone” (I vetëm në shtëpi), është nxjerrë me qira. Fansat kanë mundësi të përjetojnë nga afër skenën e filmit të fëmijërisë duke kaluar një natë në shtëpinë ikonë.

E ndodhur në Çikago (SHBA), shtëpia është nxjerrë për t’u rezervuar në “Airbnb” duke nisur nga java e ardhshme, data 7 dhjetor.

Pronarët pranojnë deri në 4 persona me çmim 25 dollarë për kokë dhe janë shprehur të gatshëm për ta liruar shtëpinë vetëm për datën 12 dhjetor.

Në film Kevin McCallister 8 vjeç (interpretuar nga Macaulay Culkin), mbetet vetëm në shtëpi për Krishtlindje. Ai e kthen shtëpinë në fjalë në një makth me kurthe për dy keqbërësit Harry (interpretuar nga Joe Pesci) dhe Marv (interpretuar nga Daniel Stern) që synojnë ta grabisin.

Më 12 dhjetor ata që do të kenë fatin të kalojnë natën në këtë shtëpi, do të mirëpriten nga ish-aktori Devin Ratray, i cili ka interpretuar në film rolin e Buzz, vëllain e Kevinit, mjaft popullor ky gjatë viteve 90-të.

Filmi “Home Alone” konsiderohet si një nga klasikët e periudhës së fund-vitit dhe vijon të shfaqet në televizione apo dhe kinema pavarësisht se tashmë kanë kaluar mbi 30 vite nga xhirimi i tij.