Hueyda El Saied, një nga vajzat më të kompletuara dhe të dashura të televizionit shqiptar, u nda sot nga jeta nga një sëmundje e rëndë në Luksemburg.

Hueyda, 46 vjeçe, nënë e një djali, do të mbahet mend për natyrën pozitive dhe dashurinë që përcillte në ekranet shqiptare.

Me origjinë nga Sudani, ajo lindi në Tiranë në vitin 1982. Gjatë gjithë jetës nuk u ndje kurrë e huaj për Shqipërinë, një vend që ajo shprehej gjithmonë se e donte shumë.

Fillimisht u shkollua për arte ku dalloi në balet, pikturë, këngë dhe prezantim. Më vonë kreu studime për “Marrëdhënie Ndërkombëtare” dhe “Të drejtat e njeriut” duke dalluar sidomos për faktin se zotëronte rrjedhshëm frëngjisht, italisht dhe anglisht.

Hueyda ishte një nga vajzat që thyen tabu pas rrëzimit të diktaturës komuniste në Shqipëri pasi solli për publikun shqiptar një stil ndryshe të spektaklit, spektaklin modern.

Një ndër të parat vajza me ngjyrë që dilte në ekranet shqiptare, Hueyda shkëlqeu duke u përfshirë në emisione kërcimi, muzike dhe komedie ku dalluan “12 vallëzime pa një të shtunë”, “Festivali kombëtar i këngës”, “Telebingo”, “Në restorant”, etj.

Ajo që e karakterizoi gjithmonë ishte buzëqeshja dhe çiltërsia në skenë. Për këtë meritoi edhe dashurinë e publikut.

Pas përvojës në televizionet shqiptare si RTSH, apo TVA, u largua në Francë ku vijoi të kishte eksperienca të suksesshme, kryesisht në balet. Në karrierën e saj pati gjithashtu përvoja në teatër me disa interpretime, teksa në vitet 2000 dhe 2006 botoi dhe dy romane: “Ngjyra e lëkurës sime” dhe “Maska e zemrës”.

Përveçse prezantuese disa herë e “Festivalit të këngës”, Hueyda ishte gjithashtu pjesëmarrëse si këngëtare në emisionet e këngëve si “Kënga Magjike”, apo “Top Fest”. Paralelisht ishte imazhi zyrtar i disa kompanive kombëtare dhe ndërkombëtare.

Përveç angazhimit si artiste, ajo nuk reshti kurrë të mbronte kauzat sociale për çështjet e të drejtave të njeriut dhe migracionit.