Termi off-shore nënkupton “jashtë çdo juridiksioni” dhe përdoret për të treguar një shoqëri të ndërtuar në ato vende ku shpenzimet fiskale janë të limituara dhe institucionet garantojnë sekretin bankar duke pasur një nivel të lartë të privatësisë.

Këto vende nuk u përgjigjen gjykatave të vendeve të tjera ose kanë një sistem burokratik aq të ndërlikuar sa edhe gjykatësi më i devotshëm do të hiqte dorë. Për të themeluar një shoqëri off-shore në këto vende nevojiten maksimumi 48 orë. Nuk nevojiten as zyra dhe as punonjës. Ndonjëherë nuk nevojitet as një administrator, mjafton një vetëm një emër ose edhe një pseudonim.

Këto shoqëri janë thuajse flluska boshe të cilat kanë aktivitete të tjera tregtare në shtete të ndryshme. Përmes labirinteve ligjore dhe sistemeve komplekse burokratike, regjistrojnë fitime shumë të mëdha në parajsat fiskale ku presioni fiskal, pra sasia e taksave për të paguar, është shumë më e ulët se në vendet që zhvillohet aktiviteti real.

Nicholas Saxon, gazetar i The Guardian dhe ekspert i evazioneve fiskale, ka ndërtuar një shembull konkret për të treguar se si funksionon një kompani off-shore:

E zëmë sikur një kompani po mbush një kontenier plot me banane në Ekuador, që i kushton shoqërisë 1,000 dollar. I shet të gjitha në një supermarket francez për 3,000 dollar. Atëherë, cili vend mban taksat mbi fitimi, Franca apo Ekuadori? Përgjigja është se këtë e vendos shoqëria. Në këtë pikë shoqëria shumëkombëshe krijon tre kompani më të vogla nën zotërimin e saj: EcuadorCo, HavenCo (në një parajsë fiskale) dhe FranceCo.

EcuadorCo i shet kontenierin HavenCo për 1,000 dollar dhe HavenCo ia shet FranceCo për 3,000 dollar. Praktikisht gjithçka ndodh këtu: bananet nuk kanë kaluar fare në parajsën fiskale, gjithçka mbetet çështje burokratike në Londër ose New York.

 

Por ndoshta mund të keni humbur thelbin e veprimit të mësipërm. Kompanisë EcuadorCo i kushtoi 1,000 dollarë për të mbushur kontenierin dhe e shiti 1,000 dollar. Kështu që nuk regjistroi fitim, e për pasojë nuk paguan as taksa.

Në të njëjtën formë FranceCo e bleu për 3,000 dollar dhe ia shiti supermarketit për 3,000 dollar. Përsëri zero fitim dhe zero taksa.

 

Çelësi i enigmës është HavenCo. Bleu kontenierin për 1,000 dollar dhe e shiti për 3,000 me një fitim neto prej 2,000 dollarësh. Por selia e kësaj kompanie është në një parajsë fiskale, ndaj nuk paguan taksa, ose paguan një shumë krejt qesharake në krahasim me fitimin.

 

Ky shembull i thjeshtë është baza e të gjitha veprimeve që kompanitë kryejnë përmes parajsave fiskale, siç mund të jetë Panamaja ose ishujt Virxhin. Janë të shumta bizneset e njohura ndërkombtarisht që përdorin këto parajsa fiskale për të mos paguar taksa, për të pastruar para ose për t’iu ikur kërkesave të kreditorëve ose ish-bashkëshorteve që duan pjesën e vet të pasurisë.