Vrasja e Xhon Lenonit më 8 dhjetor 1980, shkaktoi një tronditje të madhe jo vetëm tek fansat e tij, por të gjithë botës. Kishte kaluar vetëm një dekadë kur ishte shpërbërë grupi “The Beatles”, dhe Lenon po bënte emër si një artist i suksesshëm solo. Vdekja e tij tragjike, i kujtoi cilitdo se ai mund të ishte vërtet një “Zot” i muzikës rok, por mbetej në thelb njeri si gjithë të tjerët.

Ajo ngjarje ishte ndërkohë një zile alarmi për muzikantë të tjerë, se fiksimi pas tyre i fansave, mund të jetë diçka jashtëzakonisht e rrezikshme. Ishte një tragjedi e papërshkrueshme, dhe akti i një njeriu vërtet të lig. Sot, pas gati 40 vitesh nga ajo ngjarje, mund të ketë ende disa gjëra të cilat nuk i dini mbi vrasjen e yllit të famshëm të muzikës botërore.

Kantautori Xhejms Tejlor, u takua me vrasësin Mark Dejvid Çapman një ditë para vrasjes

Tejlor e ndeshi Çapmanin në stacionin e metrosë. Ai kujton:”Vrasësi i tij më bllokoi pas murit, ishte i mbuluar në djersë, dhe u përpoq të mbante para meje një fjalim të çuditshëm mbi atë që do të bënte, dhe se si do të vihej në kontakt me Xhon Lenonin. Ishte diçka surreale fakti që unë pata kontakte me atë njeri, 24 orë para se të qëllonte mbi Xhonin”.

Çapman kishte synuar ta vriste Xhon Lenonin 2 muaj më herët

25-vjeçari udhëtoi enkas për në Nju Jork në tetorin e vitit 1980, për të kryer vrasjen e këngëtarit. Por në një moment, ndryshoi befas mendje dhe u kthye në shtëpi. Në një intervistë për “The Mirror”, bashkëshortja e tij Gloria Çapman me të cilën ishte martuar vetëm një vit më parë tha:”Ai u kthye në shtëpi i frikësuar, duke më thënë se për t’u bërë i famshëm kishte planifikuar të vriste Xhon Lenonin. Por ai shtoi se dashuria ime e kishte shpëtuar”.

Çapman takoi atë mëngjes djalin e Lenon, Shonin

Mëngjesin e 8 dhjetorit 19080, ndërsa po priste jashtë shtëpisë së këngëgëtarit, Çapman pa dadon e familjes Helen Simën, duke hynë në godinë me djalin e Xhonit, Shonin 5-vjeçar. Çapman e takoi vogëlushin, dhe i tha se ishte një djalë i bukur, tamam si tek kënga “Beautiful Boy”.

Disa orë para e ta vriste, këngëtari i dha një autograf Çapmanit, mbi albumin e tij të dytë “Double Fantasy”

Më 8 Dhjetor, Çapman ngriti një çadër në hyrje të ndërtesës ku jetonte Lenon. Ai kaloi aty orë të tëra, duke biseduar me rojen dhe disa fansa. Në atë kohë, ishte shumë e zakonshme që disa fansa ta prisnin këngëtarin jashtë ndërtesës, dhe t’i kërkonin autografe. Ishte ora 5 e pasdites,

kur Lennon doli të shëtiste me gruan tij Joko Ono. Pasi i firmosi albumin e tij “Double Fantasy” Dejvid Çapmanit, Lenon madje e pyeti:”A është kjo gjithçka që dëshiron?”. Si përgjigje, Çapman vetëm buzëqeshi. Madje fotografi Pol Goresh, arriti të fiksonte atë takim të veçantë.

Mark Çapman, deklaroi më pas se e vrau Xhon Lenonin për t’u bërë i famshëm

Ai madje e pranoi se nuk kishte “asgjë personale” me të. Në një dokument të lirimit me kusht, ai theksoi:”Unë nuk kisha ndonjë urrejtje ndaj djalit, gruas së tij, apo atij vetë. Unë isha i fiksuar vetëm me një gjë:nëse do ta vrisja, mund të isha më në fund dikushi”.

Kur mori lajmin e vdekjes së Lenonit, Joko Ono përplasi kokën në dysheme

Dr.Stefan Lin ndodhej në urgjencë atë mbrëmje në Spitalin Ruzvelt. Ai i masazhoi zemrën e Lenonit, për ta bërë atë të pompojë sërish gjak, por pa rezultat.”Kur ia thashë asaj që ai ka vdekur, ajo nisi të bërtiste ‘Ti po më gënjen; nuk mund të jetë e vërtetë. Ai nuk ka vdekur.

Nuk të besoj.

Ajo u shtri përtokë, dhe nisi të përplaste kokën në dysheme. Atë moment pata frikë, se do të kishim një pacient të dytë. Por pas dy minutash, ajo e pranoi vdekjen e tij, dhe më kërkoi që ta shtyja njoftimin për mediat për të paktën 20 minuta, pasi djali i saj Shoni ishte në shtëpi duke parë lajmet, dhe ajo do të donte t’ia thoshte e para”- kujton ai.

Ka disa teori konspirative për vdekjen e Xhon Lenonit

Teoria e parë, është se Mark Çapmani ishte një agjent i CIA-s (në fakt FBI kishte dosje për Xhon Lenonin). E dyta, është që ai dëshironte të jetonte në paqe dhe larg syrit të publikut, ndaj e inskenoi vdekjen e tij. Dhe teoria e tretë, është që ai kreu në fakt vetëvrasje.

Kërkesa e radhës e Çapman për lirimin me kusht, do të shqyrtohet vitin e ardhshëm

Në vitin 2018, gjykata e rrëzoi për herë të 10-të, kërkesën e Çapman për t’u liruar me kusht. “Ju padyshim që e planifikuat dhe kryet vrasjen e një personi me famë botërore, për asnjë arsye tjetër përveçse të fitonit për vete një famë të keqe. Ndërsa jeta e asnjë personi nuk është më e vlefshme se jeta e një tjetri, fakti që ju zgjodhët dikë që nuk ishte thjesht një person me famë botërore dhe i dashur nga miliona njerëz, pa marrë parasysh dhimbjen dhe vuajtjet që do t’i shkaktonit familjes, miqve dhe shumë njerëzve të tij të tjerët, tregon një mospërfillje të patolerueshme ndaj shenjtërisë së jetës njerëzore, dhe dhimbjes dhe vuajtjeve të të tjerëve. Ky fakt mbetet shqetësues për këtë panel”- thuhej në vendimin e fundit të Bordit të Lirimit me Kusht.

Burimi: CNA.al