Dong Mingzhu, një nga gratë më të pasura dhe më të pushtetshme në Kinë ka lënë të kuptohet se do t’ia lërë drejtimin e kompanisë Gree Electric sekretares së saj 22-vjeçare.

Dong, 67 vjeçe, e nënkuptoi këtë gjatë një eventi të kompanisë, ku u tha investitorëve se ajo po i mësonte sekretares së saj të sapo-diplomuar, Meng Yutong, të ndiqte hapat e saj.

Sipërmarrësja e njohur nuk la shumë keqkuptime kur tha se do të donte që “Meng të bëhet Dong Mingzhuja e dytë”.

Meng Yutong është diplomuar në Universitetin e Zhejiangut. Ajo ka qenë pjesë e një shfaqjeje televizive spanjolle. Më pas u punësua nga Dong fillimisht si praktikante e pas 3 muajsh me kohë të plotë si sekretare.

Deklaratat e Presidentes së Gree Electric u kthyen virale në rrjetin më të madh social të Kinës, Weibo.

Nga kompania nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë qëndrim të Dong, e cila po mendon për daljen në pension.

Dong është nënë e një djali, të cilin e ka rritur vetë pasi që prej vitit 1984 ka qenë e ve. Sidoqoftë ajo mendon se drejtuesi i kompanisë nuk duhet te jetë një post që jepet si rrjedhojë e lidhjeve familjare.

E mbiquajtur “Zonja e Hekurt e Kinës” për etikën e saj të punës, Dong thotë se nuk ka pushuar asnjë ditë që prej vitit 1990 kur filloi punë në kompaninë e kondicionerëve Gree Electric.

Ajo njihet si grua e suksesshme në Kinë pasi në harkun kohor të 6 viteve meritoi ngritje në detyrë nga një shitëse e thjeshtë në drejtuese e shitjeve, zëvendëspresidente dhe prej vitit 2001 presidente.