Skënderbeu është gati. Stërvitjen e fundit para sfidës me Dinamon e Kievit, Ilir Daja ka preferuar ta zhvillojë në ambientet e rezidencës së zakonshme, Kompleksit Tropikal dhe jo në Elbasan Arena. Udhëtim i panejvojshëm ndoshta ai i gjithë skuadrës drejt Elbasanit pasi tapeti i impiantit njihet mirë nga të gjithë futbollistët, e ndoshta edhe pak supersticion. Dy vjet më parë ndodhte e njëjta gjë para fitores së vetme të Skënderbeut në grupet e Europa League, kundër Sportingut të Lisbonës në nëntorin e Vitit 2015. Edhe atëherë suksesi vinte ndaj skuadrës më të fortë të grupit, status që sot e mban Dinamo e Kievit, të shumta ngjashmëritë me Skënderbeun që shpreson që “Deja Vu” të shkojë deri në fund me një fitore ndaj ukrainasve. Pengu i vetëm mbetet zhvillimi i ndeshjes pa tifozë, me Ilir Dajën që ka marrë lajme të mira nga grupi i futbollistëve për sa i përket gjendjes së lojtarëve. Sabien Lilaj është gati, edhe pse me dorë të fashuar mesfushori aq i rëndësishëm për balancat e skuadrës do të jetë në gjendje të luajë nga minuta e parë, i rikuperuar në 100 % edhe Nimaga që pritet ta nisë nga stoli, ndërsa mungesa e vetme është ajo e Bajram Jashanicës.

Në seancën e fundit stërvitore Daja ka ndarë veç formacionin titullar duke lënë të kuptohet edhe 11-shen që do të zbresë në fushë. Trajneri ka veçuar të njëjtin formacion që e nisi në barazimin 1-1 ndaj Kamzës, me Shehin mes shtyllave, para tij Radas dhe Aliti në vend të Jashanicës, Vangjeli në të djathtë dhe Mici majtas. Para mbrojtjes Tefik Osmani ndërsa në krahë Lilaj dhe autori i golit në Ukrainë Gjergji Muzaka. Tresha e sulmit e pandryshuar me James, Sowe dhe Gavazajn. Është kjo 11-shja që pritet ta nisë ndaj Dinamos së Kievit, për ukrainasit një fitore vlen qartësinë matematike të kryesimit të grupit, festë që Skënderbeu kërkon ta shtyjë, me skuadrën korçare që mbetet e pamposhtur në 6 ndeshje të luajtura në shtëpi në këtë sezon të Europa League.

Skënderbeu:(4-3-3):Shehi, Vangjeli,Radas, Aliti,Mici,Osmani, Lilaj, Muzaka, James, Gavazaj, Sowe.

Lazio-Vitesse               19:00   SS3

Koln-Arsenal                19:00   SS4

Golat Direkt                19:00   SS5

Skënderbeu-D. Kiev   21:05   SS2

Milan-Austria Wien    21:05   SS3

Everton-Atalanta         21:05   SS4