Një grup shkollash në Skoci ka nxitur debat pas aplikimit të teknologjisë së identifikimit përmes skanimit të fytyrave.

Sistemi, i ngjashëm me atë të pajisjeve të celularëve, bazohet te skanimi për rreth 2-3 sekonda të fytyrës. Përmes këtij sistemi shkolla do të konfirmojë pagesat për ushqimet që do të bëjnë fëmijët gjatë pushimit të drekës.

Autoritetet besojnë se në këtë mënyrë minimizohet kontakti me persona të tjerë dhe shkurtohet koha që kërkohet zakonisht për shërbimin e ushqimit. Kjo pasi fëmijëve do t’u mbetet thjesht të përzgjedhin dhe marrin ushqimin.

Mediat lokale raportojnë se kjo teknologji është aplikuar në disa shkolla pasi 97% e prindërve dhanë dakordësinë dhe të dhënat biometrike të fëmijëve.

Por ekspertë të mbrojtjes së të dhënave kanë kritikuar autoritetet duke gjykuar se ky sistem është i panevojshëm për t’u aplikuar në shkolla dhe se mund t’i ekspozojë ata përballë rrezikut të vjedhjes së të dhënave.

Në SHBA sistemi i dentifikimit përmes skanimit të fytyrës është aplikuar për arsye sigurie.

Rusia aplikon gjithashtu sistem të ngjashëm për shërbimin e metrosë, mirëpo qytetarë të ndryshëm i shmangen këtij shërbimi pasi druhen se të dhënat e tyre mund të përdoren për arrestime.