Për reperin amerikan Snoop Dogg nuk kanë fund problemet me ligjin. Artisti është paditur për dhunë seksuale nga një grua e identifikuar si Jane Doe.

Padia e paraqitur këtë javë në autoritetet e Los Anxhelosit bën fjalë për një ngjarje të ndodhur gjatë koncertit në finalen e “Super Bowl” në vitin 2013.

Në dosjen e rrjedhur për mediat, Jane Doe përshkruhet si kërcimtare, modele dhe aktore, e cila kishte punuar edhe më parë me Calvin Broadus i njohur me emrin e artit Snoop Dogg. Ajo pretendon se në pushimin mes pjesëve të finales së Super Bowl, Snop Dogg e detyroi të kryente seks oral në tualetin e vajzave.

Jane thotë se pas ngjarjes u kërcënua për largim nga puna nëse do të tregonte. Përfaqësuesit e Snoop Dogg nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.

Gruaja thotë në padi se ajo u sulmua seksualisht edhe nga një punonjës i Snoop Dogg, i cili gjithashtu përmendet si i pandehur. Palët janë përpjekur ta zgjidhnin çështjen me ndërmjetësim, gjë që duket se nuk është arritur.

Mediat amerikane raportuan se gruaja kërkon si dëmshpërblim një shumë prej rreth 10 milionë dollarësh.

Snoop Dogg, tashmë 50 vjeç, njihet si një nga artistët më me ndikim në rrymën Hip-Hop. Gjatë jetës së tij ai është arrestuar disa herë për drogë dhe armëmbajtje pa leje. Ndërkohë në fillim-vitet 90-të u akuzua për vrasjen e një anëtari bande rivale, vrasje që në fund rezultoi të ishte kryer nga truproja e tij.

Artisti qe akuzuar për dhunë seksuale edhe në vitin 2005. Asokohe ishte ish-punonjësja e grimit Kyle Bell, e cila e akuzoi se e kishte droguar dhe dhunuar seksualisht. Dogg pati mohuar akuzat duke pretenduar se Bell po e shantazhonte për t’i marrë 5 milionë dollarë si dëmshpërblim.

Së fundmi Dogg u vu në qendër të vëmendjes pasi bleu tërësisht shtëpinë diskografike Death Row, në të cilën pati zanafillën si artist krah grupimit me Dr. Dree dhe 2-Pac.