Në Spanjë nuk do të kërkohet më me detyrim mbajtja e maskës në ambientet  e jashtme. Vendimi është marrë pasi shkalla e infektimeve me COVID-19 ka filluar të bie dhe spitalet po raportojnë se numri i pacientëve po ashtu është më i ulët.

Mbajtja e maskës në ambiente të jashtme nuk do të jetë me detyrim nga e mërkura. Masa do të aplikohet edhe për nxënësit e shkollave.

Megjithatë, maska anti Covid do të vazhdojë të jetë e detyrueshme në ambientet e mbyllura, përfshirë në transportin publik, ku njerëzve u kërkohet të mbajnë distancë 1.5 m nga njëri tjetri.

Masa e mbajtjes së maskës edhe në ambiente të jashtme u vendos dhjetorin e vitit të kaluar, pas rritjes së rasteve nga varianti Omicron.

Në periudhën nëntor 2021 – janar 2022, Spanja raportoi mbi 3,400 infektime në 100,000 banorë. Por, në 14 ditët e fundit, kjo shifër ka rënë nën 2,000. Autoritetet thonë se ulja e raste vjen për shkak të nivelit të lartë të vaksinimit. 81 për qind e popullatës së Spanjës është e vaksinuar kundër koronavirusit. Që prej fillimit të pandemisë, ky shtet ka raportuar për mbi 94,000 viktima.