“Squid Game” është zyrtarisht seria apo filmi televiziv më i ndjekur ndonjëherë i Netflix.

Të martën, Netflix hapi një web-site të ri që mat shikueshmërinë e filmave dhe serive televizive në bazë të orëve që shpenzojnë përdoruesit e platformës.

“Squid Game” doli në krye me 1.6 miliardë orë shikime. Seriali, që ka në qendër një grup borxhlinjsh që futen në një garë vdekjeprurëse me njëri-tjetrin e gjitha për argëtimin e një grupi elitar të pasurish, ka rezultuar në një sukses të jashtëzakonshëm në mbarë botën.

Sipas metrikës së re të shërbimit të transmetimit, “Red Notice” i Rawson Marshall Thurber, me Dwayne Johnson, Gal Gadot dhe Ryan Reynolds, është shikuar për 148.7 milionë orë globalisht që kur debutoi më 12 nëntor në Netflix.

Në javën e kaluar, seriali më i njohur ishte sezoni i tretë i “Narcos: Mexico”, me 50.3 milionë orë të shikuara. Filmi aktual më popullor në Netflix është filmi i Sandra Bullock i vitit 2018 “Bird Box” me 282 milionë orë të shikuara. “Red Notice” mund ta tejkalojë këtë vit, pavarësisht vlerësimeve të dobëta nga kritika.

Në të kaluarën, Netflix ka qenë selektiv në ndarjen e të dhënave të shikueshmërisë, por tani e tutje çdo të martë, Netflix do të përditësojë faqen “Top10 në Netflix” me 10 seritë dhe filmat më të mirë në shërbimin e transmetimit.

Metrika “orë të shikuara” zëvendëson “shikimet” e përdorura më parë në versionin e zakonshëm, që konsideronte si numër shikimi vetëm disa minuta të një shfaqjeje të shikuar nga përdoruesit, ndërkohë që përdoruesi mundej që ta ketë fikur, apo hequr si video pas atij fraksioni kohe.

Platforma të tjera transmetimi si Amazon dhe Disney+ nuk raportojnë rregullisht të dhëna për shifrat e shikimit.