Kompania e mirënjohur Subaru zbuloi sot modelin e parë të makinës tërësisht elektrike të zhvilluar në bashkëpunim me kompaninë tjetër japoneze, Toyota.

Modeli SUV Solterra vjen si rezultat i një projekti dyvjeçar të nxitur nga lëvizjet globale për ndryshimin e burimit të energjisë në lëvizjet me makina – nga motorë me djegie të brendshme në motorë elektrikë.

Toyota muajin e shkuar prezantoi modelin e saj të makinës elektrike BEV-bZ4X.

Ndryshe nga kompanitë e mëdha, firmat më të vogla të zhvillimit të makinave kanë hasur vështirësi në çuarjen përpara të projekteve të tyre për makina miqësore ndaj mjedisit.

Për këtë Subaru shpreson që përmes Toyotas të nxisë kapërcimin direkt në fazën e prodhimit.

Parashikohet që Solterra të prodhohet fillimisht në Japoni dhe SHBA, e më pas Subaru të zhvendosë tregun për në Evropë.

Toyota, pioniere e makinave elektrike hibride, por e zhvendosur me vonesë në tregun e plotë të makinave elektrike, planifikon të ketë një linjë prej 15 modelesh BEV deri në vitin 2025. Ajo ka planifikuar gjithashtu 13.5 miliardë dollarë shpenzime për dekadën e ardhshme për të zgjeruar kapacitetin e prodhimit të baterive të makinave.

Shitjet e automjeteve në Subaru janë më pak se një e dhjeta e atyre në Toyota, prodhuesi më i madh i automjeteve në botë për nga vëllimi i prodhimit.

Solterra me rrota aktive ato të përparmet, ka një kapacitet distance udhëtimi prej 530 km, ndërsa versioni 4X4 mund të arrijë 460 km me një karikim të vetëm.

Toyota zotëron një të pestën e Subaru dhe ka 5% të aksioneve në Mazda Motor Corp, e cila planifikon të hedhë në treg 13 automjete elektrike deri në vitin 2025, duke përfshirë këtu dhe modelet hibride.