Kosova ia ka dalë të marrë një fitore të madhe në stadiumin “Vasil Levski” të Sofjes, ku ka mposhtur Bullgarinë me rezultatin 2-3, në një ndeshje vërtetë spektakolare.

Të besuarit e Bernard Challandes e nisën mjaft mirë ndeshjen dhe arritën të zhbllokojnë rezultatin që në minutën e 14’ me Milot Rashicën, por pjesa e parë u mbyll në barazim 1-1, pari Popov shënoi në portën e Muriç, në minutën e 43-të.

Pjesa e dytë nisi mirë për bullgarët, që pas disa minutave të mira, arritën të kalojnë në avantazh me anë të Dimitrov në minutën e 55-të, pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi.

Ky gol zgjoi “Dardanët”, që zhvendosën lojën në gjysmëfushën bullgare dhe arritën të rikthejnë baraspeshën në minutën e 64-t, pas një goli të shënuar me kokë nga sulmuesi kryesor Vedat Muriqi.

Sulmet e Kosovës nuk u ndalën, teksa disa herë iu afruan golit të fitores, por topi në rrjetë u ndal vetëm në minutën e 93-të, kur pas një depërtimi nga krahu, Rashica krosoi bukur në zonë dhe Elbasan Rashani dërgoi topin në rrjetë me një goditje të saktë me kokë.

Pas kësaj fitoreje tërësisht të merituar, Kosova shkon në kuotën e 5 pikëve pas 3 ndeshjesh në fazën e grupeve të eliminatoreve, duke u renditur në vendin e tretë, pas Anglisë dhe Republikës Çeke.

Burimi: SuperSport