Teleskopi hapësinor më i fuqishëm në botë mbërriti në pikën e tij të vëzhgimit rreth 2 milionë kilometra larg Tokës, një muaj pasi u lëshua jashtë orbitës.

Me komandë në distancë, teleskopi hapësinor James Webb lëshoi shtytësit e tij të raketave për gati pesë minuta për t’u sinkronizuar në orbitën e diellit. Operacioni shkoi sipas planifikimit që kishin bërë autoritetet hapësinore të SHBA-së.

Pasqyrat e observatorit prej 10 miliardë dollarësh duhet të jenë të vendosura në mënyrë të përpiktë dhe detektorët infra të kuqe të ftohen mjaftueshëm përpara se të nisin vëzhgimet shkencore, të parashikuara për në qershor. Por kontrollorët e misionit në Baltimore ishin euforikë pasi treguan se fokusi kryesor i projektit është zbulimi i mistereve të universit.

Teleskopi do t’u mundësojë astronomëve të vështrojnë më me detaje objektet hapësinore. Kështu ata mund të kuptojnë zhvillimet e yjeve deri në 13 miliardë vjet më parë kohë kjo shumë më përtej se Big Bengu, ndodhia e cila mendohet se i dha zanafillë jetës.

Përveç kryerjes së vëzhgimeve yjore, Webb do të skanojë atmosferën e planetëve ku mendohet se ka shenja jete.

Teleskopi Webb konsiderohet pasardhës i suksesshëm i teleskopit të famshëm Hubble, që lëviz me një orbitë 530 kilometra më pranë Tokës. Webb është shumë larg distancës së arritshme për riparime, gjë që e bën një nga projektet më të vështira për t’u menaxhuar nga NASA.

Në vitin 1993 teleskopi Hubble pati nevojë për riparime dhe kjo kërkoi që 5 astronautë të punonin në hapësirë për zhvendosjen e pasqyrave. Kjo gjë nuk do jetë e mundur për teleskopin Webb në rast të një problemi të ngjashëm.