Drejtuesi i kompanisë së makinave elektrike, Tesla, Elon Musk, ka deklaruar së fundmi se do të zhvendosë selinë qendrore nga California në Texas.

Ai nuk ka deklaruar një afat konkret se kur do të realizohet kjo zhvendosje, mirëpo ka siguruar se fabrikat në California do të vijojnë të zhvillohen.

Vitin e shkuar Musk bëri një deklaratë të ngjashme për zhvendosje nga shteti perëndimor i SHBA-ve, por kjo u pa më së shumti si një shantazh ndaj autoriteteve, të cilat kishin vendosur masa të rrepta kufizuese ndaj prodhuesve.

Asokohe Musk pati deklaruar se do t’i padiste autoritetet lokale për dëme ekonomike ndaj kompanisë. Sidoqoftë muaj më vonë ai deklaroi se ishte tërhequr nga kjo qasje.

Të mërkurën Musk ka përmendur si arsye kryesore të zhvendosjes së selisë qendrore koston e lartë të pasurive të paluajtshme.

Me këtë arsye janë zhvendosur së fundmi në Texas edhe selitë qendrore të kompanive Oracle, Hewlett Packard dhe Toyota. Në Texas Musk ka gjithashtu selinë qendrore të kompanisë SpaceX.