Prej 1 tetorit gratë dhe vajzat në Shqipëri mund të përfitojnë kontrolle falas për kancerin e gjirit. Kjo mundësohet nga fushata e “Tetorit rozë”.

Autoritetet shëndetësore në Shqipëri kanë vënë në dispozicion të gjitha pavijonet ekzaminuese në spitalet rajonale për të kryer mamografitë falas.

Mjekët shprehen se ekzaminimi në kohë mund të shpëtojë jetë dhe fatmirësisht tashmë mamografia mundësohet edhe në spitalet rajonale të vendit. Ekzaminimet gjatë këtij muaji do mund të kryhen me orare të zgjatura deri në orën 18:00 – deri në 14:00 të shtunave.

“Në këtë tetor rozë do t’i lutesha çdo gruaje të marrë vetëm 30 minuta nga koha e saj, të bëjë vetëkontrollin e gjirit dhe të kryejë mamografinë”, thekson ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për fushatën.

Në Tiranë ekzaminimet ofrohen në Poliklinikën Qendrore, Spitalin Onkologjik (QSUT) dhe maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Pikat e tjera të ekzaminimeve janë në spitalet: Vlorë, Durrës, Fier, Lezhë, Kukës, Dibër, Berat, Shkodër, Korçë, Elbasan dhe Gjirokastër.

Muaji i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit është një fushatë vjetore ndërkombëtare që synon të shpërndajë informacion dhe të edukojë njerëzit për rëndësinë e shëndetit të gjirit, për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit te gratë dhe vajzat në të gjithë botën.

Në kuadër të fushatës “Tetori rozë” autoritetet kanë angazhuar gjithashtu 14 njësi mamografie fikse shtesë dhe dy njësi të lëvizshme në mënyrë që të shtohen ekzaminimet.

Njësitë e lëvizshme gjatë muajit tetor do të jenë të shpërndara: 11-15 tetor në Pogradec dhe Mallakastër; 18-22 tetor në Përrenjas dhe Krujë; 25-29 tetor në Librazhd dhe Has.

Çdo vit në Shqipëri diagnostikohen rreth 700 raste me kancer të gjirit. Mjekët thonë se kryesisht rastet diagnostikohen vonë, gjë që e ndërlikon së tepërmi trajtimin pasi një kancer i kapur në fazë të vonë mund të sjellë dhe vdekjen.

Për këtë autoritetet shëndetësore synojnë që të nxisin kulturën e kontrollit mjekësor, sidomos te vajzat dhe gratë, në mënyrë që pikasja e sëmundjes të bëhet në faza të hershme. Synimi është që të arrihen 50 mijë ekzaminime mamografie në vit.