Shqiptarët e pasionuar pas skuadrave elitare të futbollit italian do të kenë mundësi t’i shohin kanalet zyrtare të Interit dhe Milanit në Tibo dhe Oversport.

Kompanitë që kanë sjellë risi në tregun shqiptar të transmetimeve digjitale kanë siguruar dakordësinë me dy klubet e Milanos.

Lajmi u bë me dije nga Presidenti i Tibo, Adnand Mahmuti, dhe Presidenti i Oversport, Massimiliano Rubin. Ata e zbuluan këtë risi përpara derbit të Italisë, Inter-Juventus.

“[…] së bashku me Max [Massimiliano Rubin] nxituam të mbyllnim një marrëveshje shumë interesante para se të vinim këtu [në San Siro]. Mund të them me krenari se për herë të parë në Shqipëri do të vijë Inter Channel,” tha zoti Mahmuti, “Firmosëm akordin ditën e premte dhe përpara ndeshjes së Milanos me [Inter] AC Milan do të firmosim edhe me Milan Channel.”

Ngjashëm si me kanalet e dy klubeve të Milanos, Tibo dhe Oversport ka siguruar gjithashtu dakordësi edhe me klubin e Juventusit.

Bardhezinjtë nuk kanë një kanal zyrtar si Inter dhe Milan, mirëpo drejtuesit e klubit kanë dhënë dakordësinë për t’i mundësuar platformës Tibo dhe Oversport produksionet filmike për historinë dhe katalogun e skuadrës në “Video on Demand” (VoD).

“[…] me Oversport kemi vërtet shumë ëndrra që duam ti realizojmë. Falë bashkëpunimit të ngushtë me TIBO dhe miqësisë së madhe me Nandon [Presidenti i Tibos, Adnand Mahmuti] kemi vënë re që me vërtet jemi të aftë të bëjmë arritje fantastike duke sjellë sportin në shtëpinë e të gjithë shqiptarëve dhe kosovarëve,” tha zoti Rubin.

Prej më shumë se dy muajsh Tibo dhe Oversport kanë mundur t’u sjellin shqiptarëve transmetimin ekskluziv të kampionatit italian të futbollit, Serie-A, ekskluzivitet i siguruar edhe për tre vitet e ardhshme.

Për herë të parë në Shqipëri dhe Kosovë ndeshjet kryesore të Serie-A vijnë Live! me koment nga stadiumi prej komentatorit Alban Xhihani dhe ish-futbollistit të kombëtares Florian Myrtaj. Risi gjithashtu janë dhe lidhjet dhe intervistat nga fusha nga Cindy Marina.

Ky zhvillim i ri duket se nuk do të ndalet këtu, pasi dy kompanitë premtojnë të tjera angazhime për teleshikuesit.