Netflix dhe TikTok dje iu bashkuan listës së gjatë të kompanive që pezullojnë shërbimet në Rusi.

Anadolu Agency citon deklaratën nga kompania TikTok në Twitter: “Për shkak të ligjit të ri për ‘lajme të rreme’ të Rusisë, ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të pezullojmë transmetimin e drejtpërdrejt dhe përmbajtjet e reja në shërbimin tonë video, ndërkohë që shqyrtojmë implikimet e sigurisë të këtij ligji. Shërbimi ynë i mesazheve brenda aplikacionit nuk do të ndikohet”.

Shërbimi i rrjeteve sociale shtoi se ata do të vazhdojnë të vlerësojnë rrethanat në zhvillim në Rusi për të përcaktuar se kur mund të rifillojnë plotësisht shërbimet e tyre, ku prioriteti i tyre kryesor është siguria.

Netflix citoi “rrethanat në terren” për vendimin e tyre për pezullimin e shërbimeve në Rusi, por nuk dha detaje të mëtejshme.

Pasi presidenti rus Vladimir Putin miratoi rregulloren, e cila parashikon deri në 15 vjet burg për “përhapjen e informacioneve të rrejshme” në lidhje me luftën Rusi-Ukrainë, media të shumta perëndimore si BBC, CNN, ZDF dhe Bloomberg pezulluan aktivitetet e tyre në Rusi.