Në kuadër të Festivalit multikulturor në Collecchio të Italisë, është performuar edhe vallja e Osman Takës.

Në këtë valle, me koreografi nga Albert Bekja, vallëzuan prindër dhe të afërm të fëmijëve shqiptarë të grupit artistik “Mille Stelle”.

Vallja Osman Takës është një valle shumë e vjetër çame por që mori emrin vallja e Osman Takës, atëherë kur patrioti Osman Taka nga Konispoli, e kërceu para ekzekutimit.

Së pari, duhet të themi që vallja e Osman Takës është një valle tradicionale çame, me të gjithë elementet çame. Kërcehet me shumë elegancë. Ajo është valle epike, por brenda këtij epizmi ka një lirizëm, ka një lirshmëri që i tërë trupi kërcen në organikë me shpirtin e atij që e kërcen vallen, por edhe me ata që i bien veglave muzikore.

Osman Taka vjen nga një familje e vjetër dhe patriote çame e Konispolit, ku u edukua me idetë e Rilindjes Kombëtare.
Ishte organizator i kryengritjeve me armë të krahinës kundër pushtuesve turq. Ai u shndërrua në veprimtar të lëvizjes kombëtare për çlirim nga zgjedha osmane. Osman Taka u bashkua me lëvizjen e përgjithshme antiosmane dhe luajti një rol të rëndësishëm në degën e Lidhjes së Prizrenit në Prevezë.

Historia, nga e cila kjo valle mori emrin e trimit çam, fillon me nje ngjarje të hidhur, në të cilën disa ushtarë turq i bazdisin shtëpinë dhe i dhunojnë nënën dhe motrën e tij. Pasi kthehet në shtëpi dhe shikon gjëmën që i kishte ndodhur, Osman Taka u betua të merrte hak ndaj ushtarëve turq që kishin prekur nderin dhe gjënë më të çmuar të shqiptarëve, familjen. Së bashku me dy shokë të tij, dhe këta djelmosha çamë, ai u vu në ndjekje të ushtarëve turq midis të cilëve ishte edhe komandanti i garnizonit turk në Janinë.

Pas disa ditësh ndjekje, Osmani me trimat e tij i zunë prit komandantit turk dhe 10 ushtarëve dhe pas një luftimi të ashpër, Osmani me shokët e tij arriti të vriste turqit me gjithë komandantin e tyre, të cilit i preu kokën, por edhe dy shokët e Osmanit humbën jetën në këtë betejë. Vetë Osmani u plagos lehtë dhe sado që u mundua të fshihej në fshatrat pranë Janinës ai u kap nga mbi 200 ushtarë turq të cilët ishin vënë në ndjekje të tij.

Osman Taka, u burgos në burgun e Janinës, dhe më pas dënohet me varje. Në ditën që do ta varnin, në rrapin e Konispolit, ishin mbledhur paria e Janinës me në krye Valiun me të shoqen dhe vajzën, por edhe banorë të krahinës. Para se ta varnin, Osmanit i kërkuan të thoshte dëshirën e fundit me shpresën se do të kërkonte falje për çka kishte bërë, por trimi i habiti të gjithë dhe shprehu dëshirën e tij të fundit: Dua një orkestër, e cila të luajë vallen çame. Dhe ashtu u bë. Osman Taka nisi të kërcejë para Valiut të Janinës dhe bashkëshortes së tij.

Vallen e kërceu shumë bukur. Ajo valle e luajtur me mjeshtëri të rrallë prej tij mahniti të pranishmit dhe falë bukurisë trupore, shkathtësisë e zhdërvjelltësisë bëri që vajza e Valiut të marrosej pas trimit çam. Dokumente arkivore të Janinës thonë realisht se që pas kësaj valleje e shoqja e Valiut, e nxitur nga e bija, i ka kërkuar Valiut, që Osman Taka të mos vritet. Dhe në të vërtetë ai u fal e që nga ajo ditë kjo valle u quajt Vallja e Osman Takës.

Në videon e mëposhtme, mund të shihni pjesë nga kjo performancë.