Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se një grup i dytë pune mund të jetë shansi i fundit për të zbuluar origjinën e COVID-19.

OBSH ka listuar të paktën 26 ekspertë për t’iu bashkuar task-forcës. Më shumë se një vit e gjysmë që kur virusi u pikas për herë të parë në qytetin e Wuhanit në Kinë ende mbetet e paqartë se nga buroi infeksioni përgjegjës për pandeminë në botë.

Ekipi do të marrë në konsideratë hipotezat nëse virusi buroi nga kapërcimi prej kafshëve te njeriu, apo nga një rrjedhje aksidentale prej laboratorëve shkencorë që studiojnë viruset.

Kina zyrtare e ka mohuar kategorikisht si mundësi hipotezën e dytë.

Në muajin shkurt, OBSH dërgoi në Pekin një task-forcë të përkohshme, e cila nxori si përfundim se virusi ka shumë gjasa të ketë burim një shpërhapje nga lakuriqët e natës, por që kjo nevojitej të përthellohej.