Një super-stuhi diellore mund të çojë në kolaps global internetin, kolaps që mund të zgjasë për javë të tëra dhe mund të shkaktojë kaos prej problemeve në shërbimet e përditshme.

Kjo rezultoi nga një studim në Universitetin e Kalifornisë, Irvine (UCI) ku u vunë në dukje rreziqet që i kanosen botës nga një ngjarje e tillë.

Stuhitë diellore janë shpërthime të pazakonta rrezatimi të Diellit. Ato përbëhen nga grimca shumë të magnetizuara, të cilat mund të destabilizojnë fushën magnetike të Tokës.

Ato mund të prodhojnë rryma të induktuara gjeo-magnetike, të cilat mund të dëmtojnë edhe kabllot e distancave të gjata që sigurojnë flukset e internetit.

Në përgjithësi fusha magnetike e Tokës i shmang natyrshëm stuhitë diellore, mirëpo në rast të një stuhie të fortë grimcat e magnetizuara mund të depërtojnë duke paraqitur rrezik real.

Në studimin e publikuar së fundmi nga Dr. Sangeetha Abdu Jyothi, është vënë re se kabllot e mëdha nënujore kanë rrezik më të lartë të dëmtimit, kryesisht sepse janë më të gjatë. Ndërsa fibrat optike janë pjesërisht imune.

Studimi sugjeron që kompanitë e mëdha të komunikacionit të planifikojnë strategji të ruajtjes me fikje të përkohshme të sistemeve, si rrugë për të minimizuar humbjet e lidhjes dhe dëmtimin e pajisjeve pas prekjes nga një stuhi diellore.

Përballë kësaj situate Toka duket e pambrojtur. Paralajmërimet për stuhitë diellore mund të lëshohen deri 13 orë para se të ndodhin.

Astrofizikanët vlerësojnë që gjatë dekadës së ardhshme Toka ka një probabilitet deri në 12% për t’u prekur nga një stuhi e fortë diellore e aftë të shkaktojë katastrofa.