Konglomerati japonez Toshiba ka njoftuar planet për t’u ndarë në tre kompani të veçanta.
Tre kompanitë do të fokusohen në infrastrukturë, industrinë e gjysmëpërçuesve dhe pajisjeve elektronike.
Kompania mbetet nën presion për të bërë ndryshime që nga një skandal kontabël i vitit 2015.
Këtë javë, gjigandi amerikan General Electric njoftoi një strategji të ngjashme që parashikon ndarjen e kompanisë historike.
Plani i Toshibës parashikon shkëputjen e dy sipërmarrjeve kryesore, atë të njësive energjitike dhe infrastrukturës nga ajo e pajisjeve elektronike.
Pas largimit të këtyre dy kompanive, Toshiba do të vazhdojë të zotërojë 40.6% të aksioneve në prodhuesin e çipave të memories Kioxia, si dhe asete të tjera.
Ajo pret të përmbyllë riorganizimin deri në gjysmën e dytë të 2023. Lëvizja synon të rrisë vlerat e aksioneve në treg pasi Toshiba u përball me goxha humbje pas skandalit të vitit 2015.
Asokohe ish-shefi ekzekutiv, Hisao Tanaka, pranoi se kishte mbivlerësuar fitimet në më shumë se 1 miliardë dollarë për sa i përket një njësie bërthamore në SHBA.
Toshiba është një nga firmat më të vjetra dhe më të mëdha të Japonisë, me divizione që variojnë nga elektroshtëpiaket deri te stacionet e energjisë bërthamore.
Në prill 2021, britanikët e CVC Capital Partners ofruan 20 miliardë dollarë për të blerë Toshibën.
Një javë më vonë, shefi ekzekutiv i kompanisë Nobuaki Kurumatani dha dorëheqjen mes polemikave mbi ofertën. Toshiba më pas hodhi poshtë ofertën e CVC, gjë që zemëroi disa aksionerë.
Në qershor, një përplasje tjetër mes aksionerëve çoi në largimin e drejtuesit tjetër Osamu Nagayama.