Kombëtarja e 19-vjeçarëve është gati të nisë rrugëtimin e gjatë eliminator të Europianit, që do të zhvillohet në Finlandë. Të mërkurën, kuqezinjtë sfidojnë Ukrainën në një test shumë të rëndësishëm ndaj skuadrës favorite të grupit dhe fillimisht në konferencën e shtypit, trajneri Erjon Bogdani prezanton objektivat dhe bën një bilanc të prurjeve të tij në këtë skuadër.

“Objektivi im si trajner është që të sjell sa më shumë lojtarë në U-21 dhe tek Kombëtarja. Ekipi është shumë mirë ka fituar një trofe në Itali. Kemi zhvilluar dy ndeshje të mira me Gjeorgjinë. Rezultatet pozitive që kemi marrë na inkurajojnë. Këto tre ndeshje do t’i përballojmë në mënyrën më të mirë. Pas tyre do të shohim ku jemi. Për një vit kam parë 70 futbollistë, sigurisht ka shumë që si kam parë. Detyra ime është t’i shoh të gjithë dhe të afrojë më të mirët. Dua të bëj sa më mirë për këtë ekip. Dera Kombëtares është e hapur për të gjithë.”

Në vijim ai përqendrohet te ndeshja e parë eliminatore që do të luhet në stadiumin Selman Stërmasi kundër Ukrainës duke e pranuar se do të ketë përballë një kundërshtar të fortë, por jo të pakalueshëm.

“Të tre ekipet nuk i kemi frikë. Luajmë dy ndeshje në Tiranë, publiku do të na mbështesë. Nëse ata kanë topin ne duhet të mbrojmë, kur ne ta kemi topin normalisht do të jemi ne ata që do të sulmojmë. Nuk dua t’i ngarkoj çunat. Kam studiuar Ukrainën. Kanë marrë pjesë në kampionatin europian. Janë ekipe të forta ne kemi ambiciet tona. Nëse ne japim maksimumin ne do të arrimë rezultat të mirë.”

Gjithashtu, bashkëpunimi me trajnerin e Kombëtares së Parë do të jetë një nga pikat kryesore të projektit të Bogdanit, i cili shton se synon të ketë marrëdhënie sa më të ngushta me Christian Panuccin për të ndihmuar në qëllimin e përbashkët.

“Kemi diskutuar me trajnerin U-21 dhe Panuccin. Do të bashkohemi do të krijojmë një ide siç po luan U-21 apo Kombëtarja. Ukraina ka një ekip të mirë, janë rritur bashkë nga U-15 deri te U-19. Dine se si të luajnë më njëri tjetrin. Ne do t’i krijojmë vështirësi. Kemi pasur një dëmtim të vogël siç është e mbrojtësit Pjetri. Për mua të gjitha lojtarët janë të barabartë. Rregullat i bën UEFA jo unë. UEFA ka bërë të mundur grumbullin e vetëm 20 vetave. S’ka rëndësi kush luan nga ne, pasi do të kemi shumë ndeshje.”

Në konferencë ishte i pranishëm dhe kapiteni i Shpresave U-19, Rezart Rama, i cili deklaroi se në skuadër ka harmoni mes lojtarëve dhe se përsa i përket takimit ndaj Ukrainës, ekipi është gati për të dhënë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv.

“Jemi shumë lojtarë nga Italia, Greqia e Spanja. Jemi të lidhur me njeri tjetrin. Kemi bërë shumë stërvitje. Ukrainën e kemi studiuar dhe do të jemi gati për këtë ndeshje. Edhe në stërvitje edhe jashtë shkojmë mirë me njëri tjetrin. Jemi të kënaqur se si trajtohemi nga stafi. Çdo gjë shkon shumë mirë.”

Rrugëtimi i Kombëtares U-19, në Grupin eliminator 12 të Europianit që do të zhvillohet në Finlandë, nis me ndeshjen e së Mërkurës ndaj Ukrainës dhe vazhdon me dy përballjet me Malin e Zi dhe Norvegjinë në Selman Stërmasi në data 7 dhe 10 Tetor.