Universiteti Bujqësor i Tiranës njoftoi të premten hapjen e programit të doktoraturës në Bujqësi, Mjedis, Bioteknologji, Agrobiznes dhe Mjekësi Veterinare.

Programet hapen në bashkëpunim me qeverinë gjermane dhe njoftimi u bë përmes një konference për shtyp ku ishte prezent edhe Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë falënderoi për mbështetjen Gjermaninë dhe inkurajoi më tej Universitetin Bujqësor të Tiranës për zgjerimin e bashkëpunimeve të ngjashme me vende ndërkombëtare.

Rama theksoi ndër të tjera se qeveria e tij do të rishikojë fondin e ekselencës për studentët që shkojnë jashtë shtetit duke i kaluar këto fonde te ekselentët që studiojnë në atdhe.