Një vajzë nga Ukraina arriti të shpallej kampione e maratonës së parë të certifikuar që u zhvillua të dielën në Tiranë.
Valentyna Veretska arriti të lërë pas edhe djemtë duke e kaluar e para finishin e edicionit të pestë të maratonës.
Veretska e ndali kronometrin në 2 orë, 38 minuta e 51 sekonda. Ajo kaloi në finish 3 minuta e 5 sekonda më herët se sa Ilir Këllezi, i cili fitoi garën për djemtë me kohë 2 orë 41 minuta e 46 sekonda.
Dy vite më parë Veretska, në maratonën e Mainzit në Gjermani, kishte përfunduar e treta me kohë 2 orë e 43 minuta.
Në garën e organizuar me mbështetje të Bashkisë Tiranë dhe partneritet nga Tibo dhe Oversport, Veretska la pas kampionen shqiptare Luiza Gega (2:43:43.5) dhe ukrainasen tjetër Kateryna Basiladze (3:34:02).
Gjatë garës Gega pati probleme me barkun. Ajo tha për Oversport se pavarësisht kësaj ia doli ta mbyllë maratonën, të cilën e vlerësoi si një arritje për qytetin e Tiranës.
“Tiranës i mungonte një maratonë e tillë. Jam e lumtur që u bë edhe këtu dhe uroj të vazhdojë, të bëhet traditë e përvitshme” – tha Gega.
Në anën tjetër, Ilir Këllezi, i cili përfaqësonte Forcat e Armatosura, u shpreh i kënaqur me rezultatin pavarësisht se mund të regjistronte një kohë më të mirë.
Fituesit sipas kategorive:
Gara “We too”:
- Vajza: 1) Elda Gjoni; 2) Silvana Cara; 3) Bruna Bruna
- Djem: 1) Erblin Karaj; 2) Dovlet Xhangoli; 3) Elton Lleshi
Gara 10K:
- Vajza: 1) Redia Dauti; 2) Relaksa Dauti; 3) Lorina Metaj
- Djem: 1) Atanas Anchevski; 2) Bledar Mesi; 3) Malvin Nikolla
Gjysmë-maratona 21K:
- Vajza: 1) Natalia Semenovych; 2) Adrijana Poparsova; 3) Gresa Bakraci
- Djem: 1) Bogdan Semenovych; 2) Ivan Bubnov; 3) Albion Ymeri
Maratona 42K:
- Vajza: 1) Valentyna Veretska; 2) Luiza Gega; 3) Kateryna Basiladze
- Djem: 1) Ilir Këllezi; 2) Igor Jakimovski; 3) Stefan Trost