Vaksina e papillomavirusit njerëzor, ose HPV-së, po shkurton rastet e kancerit të qafës së mitrës me gati 90% të rasteve.

Kjo është vënë re nga Instituti Britanik i Hulumtimeve mbi Kancerin, që e ka përshkruar këtë gjetje si “historike” pasi tregon se vaksina po shpëton jetë.

Pothuajse të gjitha llojet e kancerit të qafës së mitrës shkaktohen nga viruset HPV dhe shpresa është se vaksinimi do mund t’i eliminojë sëmundjet e tilla.

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i katërt më i zakonshëm tek gratë në mbarë botën. Çdo vit ky lloj kanceri vret më shumë se 300,000 gra.

Më shumë se 100 vende kanë filluar përdorimin e vaksinës ndaj HPV-ve si pjesë e planeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë për t’iu afruar eliminimit të kancerit të qafës së mitrës.

Kjo vaksinë u prezantua për herë të parë në vitin 2008 në Mbretërinë e Bashkuar duke iu injektuar nxënësve në klasat fillore. Rreth 10 vite më pas, studiuesit kanë analizuar të dhënat e atyre që u vaksinuan duke parë një reduktim të rritjeve para-kanceroze dhe një reduktim prej 87% të kancerit të qafës së mitrës.

Sidoqoftë studimi mbetet ende jo shumë i plotë, pasi personat e përfshirë në hulumtim janë ende të një grup-moshe të re, e cila përgjithësisht nuk preket shpesh nga kanceri.

Vaksina ndaj HPV-së mund të gjendet edhe në Shqipëri – kryesisht në klinikat private, me tre doza injektimi. Mjekët rekomandojnë që ajo të injektohet në moshat 11-26 vjeç, pasi në këto kategori ka efektivitet më të lartë.