Pas skandalit me zgjedhjet në Shoqatën e Futbollit Tirana Kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj organizoi një mbledhje me drejtuesit e mbi 20 shoqatave të futbollit , ku bëri me dije se ditën e nesërme do të kallëzojë penalisht sekretarin e përgjithshëm të FSHF-së dhe sekretarin e përgjithshëm të shoqatës. Sipas Veliaj, Armand Duka manipuloi zgjedhjet në Shoqatën e Futbollit Tirana.

“Nëse do bëjmë kallëzim penal për sekretarin e përgjithshëm të FSHF dhe një kallëzim për sekretarin e përgjithshëm të shoqatës, shoqatës së vjetër. Vandaku vetëm po rritet në të gjitha fushat ku ata ushtrojnë një veprimtari tërësisht kriminale. Zgjedhin zgjedhësit që duan dhe i vënë si vezët në bikerina. Në Gjykatën e Tiranës janë regjistruar drejtuesit e Shoqatave jo delegatë që na i cakton FSHF dhe ne i zbulojmë vetëm ditën e votimit. Kjo është pafytyrësi dhe falsifikim”, tha Veliaj.

Ai e cilësoi një betejë për të ardhmen e vendit dhe akuzoi Federatën Shqiptare të futbollit për shpërdorim të fondeve.

“Unë e di që ka njerëz që mendojnë se ne do dorëzohemi kollaj. Këta janë aq të shpartalluar dhe aq vlunerabël se kanë bërë mëkate, por do i thyejë kjo skuadër, ky qytet, kjo shoqatë. Këtë betejë e kemi për çunat dhe gocat e qytetit që duan të merren me futboll të pastër, kjo nuk është betejë për mua, për ata që thonë që na duhet në futbolli, përsa kohë që janë 350 skuadra çunash dhe gocash dhe po luftojnë me këto lloj bandash, të ishte për këto dy partitë, aleatët e Dukës, për shulin, ai ishte bërë pallat. Të ishte për këta shkolla Kosova do ishte bërë pallat, Laparka ishte nisur për pallat, nuk është për interes personal, por për çunat dhe gocat modeste të këtij qyteti”.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka reaguar edhe në lidhje me audio-përgjimin që i publikoi FSHF. Ai u shpreh se i qëndron deklaratave të tij, e ndërsa i kërkoi falje atyre që mund të jenë prekur. Kryebashkiaku theksoi se ai flet edhe më rëndë para kamerave kundër padrejtësive.

“Qartazi para ndeshjes mes çunash kështu flasin, i kërkoj ndjesë kujt është ofenduar, nuk është ai stili im. Nuk i heq asnjë presje asnjë gjë që kam thënë. Unë ndoshta flas më rëndë ndaj padrejtësive në kamera sesa në muhabet çunash”, tha Veliaj.

Prokuroria e Tiranës njoftoi nisjen e hetimeve për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Ai akuzohet për abuzime me fondet, vjedhje dhe shpërdorim detyre.