“Vrapo për shëndetin mendor, eja edhe ti!” është thirrja e aktivitetit të kësaj fundjave në Tiranë që organizohet nga Fondacioni Together Albania (FTA) në kuadër të ndërgjegjësimit qytetar për problemet e shëndetit mendor.

Shëndeti mendor është një ekuilibër i aspekteve emocionale, psikologjike dhe shoqërore, që ndikon mënyrën e të ndjerit dhe të të vepruarit. Ekspertët thonë se përveç aspekteve gjenetike, mjedisi social dhe përvojat jetësore janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në përkeqësimin e këtij ekuilibri.

Në Shqipëri flitet pak për shëndetin mendor. Shoqëria e ka veshur këtë pjesë me stigma duke ndrydhur dhe izoluar edhe më tepër ata që kanë nevojë. Ndërkohë pandemia përshkallëzoi më tej problemet duke shtuar ndjesitë e ankthit, frikërat, panikun, dhunën në familje, depresionin, apo të menduarit për vetëvrasje.

Por FTA, e cila punon prej vitesh për këtë çështje me një numër të lartë profesionistësh, – përmes platformës online nukjevetem.al – ka nxitur një fushatë për rrëzimin e këtyre stigmave.

Në kuadër të ndërgjegjësimit qytetar, FTA, në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë, organizon, të shtunën, më 16 tetor, mini-maratonën: “Tirana vrapon për shëndetin mendor”.

Me nisjen në orën 08:30 në Sheshin “Nënë Tereza” dhe pikën fundore te “Reja” e Tiranës pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, mini-maratona e FTA-së fton qytetarët për një vrapim të distancës së shkurtër, por të simbolikës së madhe:

Për t’u dhënë zemër dhe kurajë të gjithë atyre që kanë hasur probleme këtë periudhë si dhe për ta hedhur tutje stigmën që shoqëron problemet e shëndetit mendor.